KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Zini Veshi, piktori i figurës njerëzore

Zini Veshi, piktori i figurës njerëzore

I larguar prej më shumë se 2 dekadash në Amerikë, piktori i figurës njerëzore Zini Veshi vjen në Galerinë Kombëtare të Arteve me një ekspozitë personale “Për tej të figurshmes”. Publiku gjen aty artin e krijuar prej tij mes viteve ’86-’90 si dhe atë të tri viteve të fundit. Kjo vendosje jo e rastësishme të jep mundësinë ta njohësh më mirë artistin, të kuptosh evoluimin e veprës së tij, e cila në fund të fundit mbetet bashkëkohore, në teknikën vaj në kanavacë. Është ky një nga elementet që kuratori Krenar Zejno vlerëson tek artisti Veshi.
“Edhe sikur pa fund të ishte jeta e një autori, sigurisht që në rrënjët e veta qëndron një lloj stileme, një lloj stili që nuk mund të shkëputet nga shifra e vet. Kurse kërkimi i autorit dhe raportimi i tij në kohë arti që evoluon, bën pastaj që të ndjen ndryshimet se si shkohet tek titulli që ja kemi vendosur “Për tej të figurshmes”, jo si rezultat për tej malit, por për të shkuar tej malit” thotë kuratori Zejno.
Te veprat e artistit Zini Veshi, qofshin ato vaj në kanavacë, qoftë dhe grafikat, ndihet shtresëzimi, duke i dhënë dramës ritmin, ndërsa e bën veprën më të prekshme dhe më të ndjeshme.
“Synoj të tregoj një fjali të plotë mbi artin tim të tanishëm, formën e tanishme, problemet e formës, si i zgjidh unë ato dhe punë të tjera që janë para ’90 janë vendosur për të treguar një lloj vazhdimësie se çfarë i lidh këto punë” thotë vetë piktori Veshi për RTSH.
Endrrat, iluzionet, zakonet, monotonia, gjënden në thellësinë e pikturave të Veshit. Çdo tablo është një ekspoze portreti në grup, ashtu si dhe një ekspozitë portretesh.