20 shkolla në Tiranë nisin programin “After School”, Zv. Ministrja Herida Duro: Synojmë zhvillimin e plotë të fëmijëve pas mësimit.

Ministria e Arsimit ka nisur zbatimin e programit “After School” në 20 shkolla të Tiranës, një nismë që synon të ofrojë aktivitete zhvilluese për nxënësit pas përfundimit të orarit mësimor.
E ftuar në një intervistë në emision Klubi 5 në Radio Tirana, Zv. Ministrja e Arsimit, Herida Duro, shpjegoi se programi është konceptuar për të plotësuar kohën pas shkollës me aktivitete artistike, kulturore dhe krijuese, duke ndihmuar njëkohësisht nxënësit në realizimin e detyrave të shtëpisë.
“Qëllimi kryesor është që fëmijët, pas përfundimit të mësimit, të kalojnë kohën në aktivitete që nxisin zhvillimin e aftësive dhe talenteve të tyre. Njëkohësisht, programi parashikon edhe mbështetje për kryerjen e detyrave,” u shpreh ministrja.
Sipas saj, programi mbështetet në një kuadër të miratuar ligjor dhe institucional, ndërsa zbatimi po bëhet gradualisht për t’u përshtatur me realitetin e sistemit arsimor shqiptar.
Zv. Ministrja Duro theksoi se aktualisht aktivitetet zhvillohen deri në orën 15:00, duke sqaruar se zgjerimi i mëtejshëm i orarit kërkon kohë, infrastrukturë dhe përshtatje të të gjithë ekipit arsimor të përfshirë në proces.
“Ne nuk kemi pasur më parë një traditë të tillë. Kjo është një fazë tranzitore që kërkon ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme dhe krijimin e një kulture të re bashkëpunimi mes shkollës, familjes dhe komunitetit,” tha ajo.
Ministrja bëri të ditur se në program janë përfshirë jo vetëm mësues aktivë, por edhe mësues të dalë në pension me përvojë, artistë dhe profesionistë të fushave të ndryshme, të cilët do të kontribuojnë në zhvillimin e aktiviteteve me nxënësit.
Lidhur me ushqimin e fëmijëve, Zv. Ministrja Duro sqaroi se aktualisht përgjegjësia për këtë pjesë mbetet te familjet, ndërsa në të ardhmen po shqyrtohen modele dhe projekte që mund të ofrojnë një zgjidhje më të plotë për këtë nevojë.
Duke shpjeguar pse programi ka nisur vetëm në 20 shkolla, Zv. Ministrja tha se projekti po zbatohet fillimisht në mënyrë pilot, për të vlerësuar rezultatet dhe për të analizuar mundësinë e zgjerimit në institucione të tjera arsimore.
Sipas saj, një nga synimet kryesore është krijimi i mjediseve të sigurta dhe të kontrolluara për fëmijët pas mësimit, duke u ofruar atyre alternativa edukative dhe sociale larg përdorimit të tepruar të telefonave dhe qëndrimit pa mbikëqyrje.
Programi “After School” parashikohet të jetë gjithëpërfshirës, duke garantuar akses edhe për fëmijët me nevoja te veçanta, në përputhje me nevojat dhe specifikat e secilit nxënës.
Tashmë programet e radios mund ti ndiqni përmes aplikacionit RTSH TANI dhe nëse humbisni njërin syresh mund të riktheheni deri në një javë më pas.