“Jam ndjerë keq”/ Efektivja Bregu zbulon masat e policisë me nisjen e shkollës, rrëfimi dhe një apel

Nisja e vitit të ri shkollor sjell një fluks të shtuar lëvizjeje në rrugët e kryeqytetit. Për të garantuar mbarëvajtjen e qarkullimit dhe mbrojtjen e këmbësorëve, Policia Rrugore e Tiranës ka vënë në zbatim një plan masash që fokusohet te menaxhimi i trafikut dhe parandalimi i aksidenteve.
Oficerja e Policisë Rrugore, Anxhelina Bregu, në një intervistë për emisionin “Në Radio” të Andri Xhahut në Radio Tirana, bën me dije se prania e efektivëve është e garantuar në të gjitha pikat kyçe të qytetit. “Edhe këtë vit çdo shërbim i yni është në çdo aks rrugor, në çdo kryqëzim por edhe pranë shkollave ku ka vendkalim këmbësorësh për t’iu ardhur në ndihmë të vegjëlve për të kapërcyer karrexhatën,” tregon Bregu.
Lëvizja më e ngarkuar regjistrohet kryesisht në orët e mëngjesit, kur rrugët dynden nga nxënësit, punonjësit e administratës dhe qytetarët e tjerë. Sipas inspektores, fashat orare më të ngarkuara mbeten ato mes orës 07:00 dhe 09:00. “Ka pasur trafik të ngarkuar me intervale kohore kryesisht në mëngjes. Por ka qenë e menaxhueshme nga shërbimet tona. Fokusi ka qenë te kryqëzimet kur shohim fluks të shtuar”, shpjegon ajo, duke shtuar se prania e policisë vazhdon e plotë edhe gjatë përfundimit të orarit mësimor. Për të mbuluar çdo zonë, Policia Rrugore punon krah për krah me Policinë Bashkiake dhe struktura të tjera të Policisë së Shtetit, duke qëndruar vigjilente për të ndihmuar kalimin e këmbësorëve dhe veçanërisht të nxënësve.
Sa i përket prindërve që shoqërojnë fëmijët e tyre deri në dyert e shkollave, efektivët kanë treguar mirëkuptim. Bregu thekson se prindërit janë lejuar të ndalojnë përkohësisht për sa kohë nuk bëhen pengesë apo të cenojnë drejtpërdrejt rrjedhën e trafikut. Të njëjtat lehtësi aplikohen edhe për autobusin dhe furgonët e shkollave, por për këto të fundit standardet e sigurisë mbeten të palëkundura. Për mjetet e transportit shkollor ushtrohen kontrolle të vazhdueshme sa i përket dokumentacionit dhe kushteve teknike.
Në lidhje me kontrollin e shpejtësisë, inspektoria bën me dije se po operohet me makineri inteligjente dhe radarë, ndonëse është vërejtur një ndërgjegjësim më i lartë nga ana e drejtuesve të mjeteve.
Për një efektiv që shërben për vite me radhë, terreni kthehet në një shtëpi të dytë. Bregu shprehet se marrëdhënia me qytetarët ka kaluar kufijtë e detyrës zyrtare. “Ne jemi bërë si familje me komunitetin, sidomos për një efektiv që kontribuon për vite në Policinë e Shtetit. Njohim më shumë ata se sa familjen tonë. Jemi çdo ditë me ta në terren, çdo ditë me problematikat që kanë”.
E pyetur mbi përvojën e saj si grua në krye të detyrës, ajo tregon se prania e një punonjëseje policie shpesh sjell një vetëpërmbajtje nga drejtuesit e mjeteve. “Çdo drejtues mjeti kur ndalohet nga një punonjëse policie femër është më i rezervuar në shprehi. E pranon shkeljen e kryer, e pranon dhe masën administrative. Ka raste që agravohen, por në përgjithësi në karrierën time nuk më kanë bërë rezistencë dhe nuk kam pasur probleme”, thotë ajo.
Me një karrierë 12-vjeçare në Policinë e Shtetit, Anxhelina Bregu pranon se detyra e përball shpesh me dilema njerëzore. Ka pasur momente kur pas përfundimit të shërbimit ka reflektuar mbi vendimet e marra në terren.
Ajo kujton me emocione një nga ngjarjet e fillimeve të saj, ku i është dashur të ndalonte një drejtues mjeti që udhëtonte i dehur bashkë me familjen dhe dy fëmijët e tij të vegjël në sediljen e pasme. “Jam ndjerë keq sepse në njërën anë mendoja si mund të lejohet një drejtues në gjendje të dehur me familjen që ta çonte në destinacion në mënyrë të sigurt. Nga ana tjetër si mund të ndëshkoja babain e dy fëmijëve që i shikoja në sy, të pafajshëm si engjëj. Ka situata të tilla sepse edhe ne jemi të ndjeshëm”.
Në kushtet kur Tirana përballet me një ngarkesë të lartë lëvizjeje, inspektore Bregu e mbyll me një apel të drejtpërdrejtë për të gjithë drejtuesit e mjeteve. Ajo kërkon rritje të kujdesit në timon, respektim të normave të shpejtësisë, reduktim të përdorimit të telefonit celular, si dhe zbatim të rreptë të sinjalistikës, semaforëve dhe të gjitha normave të Kodit Rrugor për të garantuar sigurinë e gjithsecilit.