8 minutat që i morën jetën Mazonakis/ Çfarë ndodhi brenda klinikës? Gazetarja: Po kryente trajtim antiplakjes, fjalët e dhimbjes së babait

Lajmi për ndarjen nga jeta të këngëtarit të njohur grek, Giorgos Mazonakis (Jorgos Mazonaqis), në moshën 54-vjeçare, ka tronditur opinionin publik. Detaje të reja rreth rrethanave të ngjarjes u zbuluan gjatë një lidhjeje direkte nga Athina me gazetaren Nilda Baxha për emisionin “Në Radio” të Andri Xhahut në Radio Tirana.
Pas 90 orë hetimesh, organet e drejtësisë kanë vendosur masën e paraburgimit për dy mjekët e klinikës private ku ndodhi ngjarja. Personat e përfshirë janë Ilias Theodoropoulos, patolog dhe pronar i klinikës, si dhe bashkëshortja e tij, Ioanna Gaka, me profesion gjinekologe. “Vendimi është paraburgim me tregues të rëndë fajësie. Akuzohen të dy për vrasje me dashje eventuale që parashikon burgim të përjetshëm. Është një kompleks akuzash, jo sepse është kryer një vrasje me dashje, por për pakujdesi, paaftësi dhe fshehje të të dhënave”.
Kualifikimet akademike të mjekëve po ashtu po i nënshtrohen verifikimit. Theodoropoulos ka përfunduar mjekësinë në Athinë dhe është i specializuar në mjekësinë rigjeneruese të qelizave. “Ndërsa bashkëshortja e tij Gaka është gjinekologe, me disa mastera në biologji molekulare dhe mjekësinë fizike, si dhe shumë specializime që kanë ngjallur dyshime se sa të vërteta janë”, shprehet gazetarja.
Sipas të dhënave, klinika po aplikonte një trajtim kundër plakjes pa lejet e nevojshme ligjore. “Plazmaforeza është një procedurë ku gjaku filtrohet dhe rikthehet në organizëm, por klinika nuk zotëronte licencë për këtë ndërhyrje”. Mjekët kanë mohuar fajësinë, duke pretenduar se pajisja ishte ligjore dhe se nuk ka dhënë sinjale alarmi.
Edhe pse aparatura dyshohet se ka dhënë sinjale rreziku, mjekja Gaka u përpoq pa sukses ta rikthejë në jetë, ndërsa vetë ajo shfaqi tronditje të madhe gjatë marrjes në pyetje prej tetë orësh. “Mjeku Theodoropoulos tha që nëse do të burgoset do të hyjë në grevë urie dhe etjeje. Prokurori dhe hetuesi nuk u prekën nga kjo dhe ata ndodhen në paraburgim”.
Sa i përket fshirjes së provave, mjekja Gaka përballet me një tjetër akuzë. “Gaka u akuzua se ka fshirë fotografi të bëra me këngëtarin me sy të mbyllur, madje është në kërkim personi që i bëri fotografitë dhe po hetohet përse ajo i fshiu ato nga telefoni. Mjekja ka pohuar që kjo është një praktikë e zakonshme me pacientët”.
Hetimet flasin për vonesa midis momentit të arrestit kardiak dhe njoftimit të shërbimeve të urgjencës. Sipas dëshmive të mjekëve, ndalimi kardiak ka ndodhur në orën 16:15, ndërsa telefonata për ndihmë është bërë në orën 16:23. Në momentin kur ambulanca mbërriti nga spitali që ndodhej vetëm pak hapa larg, këngëtari u gjet pa puls, ndërsa mjekët po përpiqeshin ta rikthenin në jetë. Hetimet po vijojnë edhe për personelin tjetër të klinikës dhe punonjësit e ambulancës.
Raportimet mediatike flasin edhe për përdorimin ChatGPT gjatë ndërhyrjes te pacienti, por sipas gazetares nuk ka ende një konfirmim zyrtar.
Një nga pistat që po ekzaminohet lidhet me një procedurë tjetër shëndetësore që këngëtari kishte kryer më parë. “Po hetohet nëse një hidroterapi për pastrimin e zorrës së trashë mund të ketë shkaktuar humbje të lëngjeve dhe elektroliteve, duke e bërë plazmaferezën veçanërisht të rrezikshme për jetën e tij”.
Nga ana tjetër, shoferi i taksisë që e kishte dërguar Mazonakisin në klinikë dëshmoi se këngëtari gëzonte gjendje shumë të mirë shëndetësore gjatë rrugës.
Tronditja e familjarëve ka qenë e thellë. Motra e tij u filmua mbi varrin e të vëllait, ndërsa babai i tij deklaroi mes dhimbjes: “Mua kush do ma kthejë Jorgon?”. Familja ka kërkuar dënimin maksimal për përgjegjësit.
Gjatë funeralit, mes familjarëve dhe personazheve të njohur, mori pjesë edhe Ministri i Shëndetësisë, Adonis Georgiadis, i cili kërkoi falje publike: “Kërkoj falje publike se sistemi shëndetësor nuk e mbrojti këngëtarin nga dy mashtrues”.
Këngëtari Giorgos Mazonakis njihej gjithashtu për veprimtarinë e tij humanitare në ndihmë të grave të divorcuara, grave shtatzëna dhe njerëzve në nevojë. Familja e tij ka bërë thirrje që në vend të luleve për funeralin, qytetarët të dhurojnë para për institucionin bamirës të ngritur nga vetë këngëtari.
Humbja e tij ka prekur të gjithë komunitetin. “Gjatë fundjavës, nga blloqe të ndryshme pallatesh dhe makina dëgjoheshin me tinguj të lartë vetëm këngët e Mazonakis. Kjo ishte shumë emocionuese”, përfundon Baxha.