“Dënim drakonian”/ Avokati: Si mund të ndryshojë Apeli fatin e katër ish-krerëve të UÇK sipas rastit “Gotovina”

“Dënim drakonian”/ Avokati: Si mund të ndryshojë Apeli fatin e katër ish-krerëve të UÇK sipas rastit “Gotovina”

Vendimi i Dhomave të Specializuara në Hagë për dënimin e katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi ka nxitur reagime të shumta. Në një intervistë për emisionin “Në Radio” të Andri Xhahut në Radio Tirana, avokati nga Kosova, Gent Gjini, ka analizuar në detaje këtë vendim, duke e cilësuar atë si një masë joproporcionale dhe jashtë standardeve ndërkombëtare.

Gjini e përshkruan vendimin e shkallës së parë si tepër të rëndë, duke theksuar se ai nuk pasqyron drejtësinë e kërkuar në nivel ndërkombëtar. “Ky dënim është kapital, dënim drakonian që nuk është në përshtatje me standardet e drejtësisë ndërkombëtare penale”.

Sipas avokatit, paralajmërimet për dënime me arsyetime të diskutueshme kishin kohë që vëreheshin gjatë zhvillimit të seancave. Një nga shqetësimet kryesore lidhet me mungesën e transparencës për publikun. Gjini analizon se mbrojtja e krerëve të UÇK-së ka proklamuar vazhdimisht se kjo gjykatë po vepron në shkelje të të drejtave të palëve në procedurë. Faktori kryesor që ngre dyshime mbi besueshmërinë e procesit është se rreth 95% e seancave kanë qenë jo publike, gjë që e ka bërë të pamundur verifikimin e dëshmitarëve dhe objektivitetit të tyre.

Përveç kësaj, avokatët mbrojtës janë përballur me sfida administrative e procedurale. “Avokatët kanë ngritur çështjen se kjo gjykatë po trajton prova të fabrikuara nga qarqet serbo-ruse. Në dëshmi kemi parë që shumë persona kanë bashkëpunuar me zyrën e prokurorit special. Avokatët gjithashtu janë përballur me vonesa në marrjen e provave, transkriptimin e dëshmive dhe mungesë përkthimesh. Këto parregullsi janë konfirmuar edhe nga Avokati i Popullit”.

Gjatë analizës së tij, avokati rikujton zanafillën e krijimit të Speciales, e cila bazohej në pretendime serioze që në fund nuk u provuan kurrë në aktakuzë. Gjykata u krijua pas publikimit të librit të ish-kryeprokurores Carla Del Ponte dhe iniciativës së senatorit Dick Marty për ngritjen e një task-force hetimore. “Paradoksi është që kemi pritur që Gjykata Speciale do të përmendë edhe trafikimin e organeve dhe në fakt nuk ka qenë fare kjo akuzë”.

Sipas Gjinit, ky fakt tregon se ajo që shërbeu si shkak për ngritjen e institucionit, u eliminua krejtësisht.
Gjatë procesit kanë rënë edhe gjashtë pikat e akuzës për krime kundër njerëzimit. Rrëzimi i këtyre pikave shihet si një element pozitiv nga mbrojtja, duke lënë në këmbë kryesisht pretendimin për ndërmarrje të përbashkët kriminale me fokus eliminimin e kundërshtarëve politikë.

Gjini sjell në vëmendje edhe një rast konkret që ngre supozime për tejkalim faktesh nga ana e trupit gjykues:
“Dje kemi parë një dokument që ka rrjedhur në media. Z. Veseli akuzohet për vrasjen e Behajdin Allaqit, por dje ka dalë një dokument në të cilin znj. Allaqi kishte thënë që bashkëshortin e saj e kanë mbytur serbët. Derisa bashkëshortja e Allaqit tregon se si ka ndodhur situata, gjykatësi del përtej fakteve dhe e dënon për një akuzë ku bashkëshortja thotë që nuk është i përfshirë askush përveç palës serbe”.

Pavarësisht dënimit në shkallën e parë, avokati Gent Gjini shprehet optimist për vendimin që pritet të merret në Gjykatën e Apelit. Ai mbështet këtë pritshmëri te përvoja e ekipit mbrojtës të Hashim Thaçit, i cili udhëhiqet nga avokati që më parë siguroi pafajësinë e gjeneralit kroat Ante Gotovina po në Tribunalin e Hagës. “Thaçi dha dorëheqjen si president atëherë dhe ka bashkëpunuar me zyrën e Prokurorisë Speciale. Për ta krahasuar, Gotovina ka qenë në arrati. U dënua me 24 vite në shkallë të parë dhe më pas Apeli e shpalli të pafajshëm. Ndaj Thaçi ka më shumë përparësi. E shoh si një epilog fitues”.

Radio Tirana 1LIVE