“Nuk e prisja”, Valmir Tertini prek “Luanin e Argjendtë” në Venecia, dokumentari për picerinë e VIP-ave dhe një zbulim “nga e ardhmja”

“Nuk e prisja”, Valmir Tertini prek “Luanin e Argjendtë” në Venecia, dokumentari për picerinë e VIP-ave dhe një zbulim “nga e ardhmja”

Regjisori i njohur Valmir Tertini është nderuar me çmimin prestigjioz “Luani i Argjendtë” nga Mostra Lido, gjatë edicionit të 83-të të Festivalit të Filmit në Venecia.

Në një intervistë për emisionin “Në Radio” të Andri Xhahut në Radio Tirana, regjisori rrëfeu emocionet e këtij triumfi. Tertini tregoi se po priste shfaqjen e dokumentarit të tij “Pinocchio’s Harvard” pjesë e festivalit Corti Vittorio Veneto, kur vlerësimi me “Luanin e Argjendtë” erdhi si një surprizë e papritur. “Unë e dija që producenti im Emiliano Biraku kishte dërguar emrin tim por nuk e dija që është aprovuar, pasi aty janë shtatë anëtarë jurie të cilët vendosin se kujt do t’i ndahen çmimet. Presidenti i madh i La Biennale di Venezia, Pietrangelo Buttafuoco më dha çmimin. Ishte fantastike”, thotë regjisori.

Për Tertinin, ky përfaqëson suksesin më të madh profesional të arritur deri më tani. Megjithëse numëron 38 çmime me filmat e tij, ai shprehet se ky vlerësim ka një peshë të veçantë pasi i dedikohet karrierës dhe bashkëpunimit me Italinë.

Kontributi i tij në këtë shtet zë fill që në vitin 2018 me filmin “Vulë”, i cili u shpërnda nga Italia. Më tej, edhe xhirimet e dokumentarit për aktorin e madh Bekim Fehmiu janë realizuar pjesërisht atje me produksione italiane, ndërsa dokumentari i tij i fundit ka lidhje të fortë mes Italisë dhe Amerikës.

I pyetur për subjektin e dokumentarit “Pinocchio’s Harvard”, regjisori zbuloi historinë e veçantë pas tij. “Vendi i ngjarjes është “Pinocchio’s Pizza” në Harvard Square, një piceri modeste 60-vjeçare me pronarë italianë. Kur shkova atje më bëri përshtypje sepse në atë vend kanë ngrënë Mark Zuckerberg, Bill Gates, Ben Affleck me të vëllanë Casey të cilin e kam takuar, Matt Damon, vajza e Barack Obama-s, e shumë të tjerë”, tregon ai.

Dokumentari nuk flet për vetë picerinë sesa për rëndësinë e këtij vendi si një kënd ku kanë lindur shumë ide, përfshirë edhe idenë fillestare të krijimit të platformës Facebook. Gjatë xhirimeve, ai takoi madje edhe një të ri aziatik që thërritet si “Marku i ri”, i cili merr një picë që shitet me feta, ulet aty dhe punon për një aplikacion të ri që pritet të dalë në vitet 2027-2028, një teknologji ku të dhënat jepen përmes shtrëngimit të duarve, duke sjellë kështu një prurje të re në jetën që po jetojmë.

Realizimi i këtij projekti kërkoi punë intensive, ku xhirimet e dokumentarit zgjatën më shumë se një vit e gjysmë. “Filmin e dërguam në Corti Vittorio Veneto sepse e dinim që ky festival i vogël ishte bërë pjesë e edicionit të 83-të të Festivalit të Filmit të Venecias. Para dy muajsh fituam dy çmime kryesore. U vlerësuam si dokumentari më i mirë i edicionit dhe regjia më e mirë, ku nga dhjetë filmat finalistë, triumfuam”, tha Tertini.

Në mbyllje të rrëfimit të tij, regjisori pranoi se nuk e priste këtë çmim, duke qenë se zakonisht çmimet për karrierën jepen pak vonë në moshë. Për të, ky vlerësim përfaqëson një përgjegjësi shumë të madhe, por njëkohësisht i jep motivim për të bërë më të mirën e mundshme në të ardhmen.

Radio Tirana 1LIVE