“Jam paragjykuar”, historia frymëzuese e të riut dhe mijëra ndjekës nga librat: Më ndryshuan jetën. Kurrë nuk është vonë!

Në moshë të rritur është vonë të nisësh të lexosh! Xhesjon Llapushi ia ka dalë të thyejë këtë paragjykim duke provuar të kundërtën. Ai e nisi lidhjen e tij me librin vetëm në moshën 25-vjeçare.
I ftuar në emisionin “Në Radio” të Andri Xhahut në Radio Tirana, i riu rrëfeu rrugëtimin e tij frymëzues, që nga leximet në urban e kafene, e deri te krijimi i faqes në Instagram “Xhesjoni Lexon”, me mijëra ndjekës që sot bën bashkë një komunitet të madh lexuesish. “Kisha dëshirën të ndryshoja veten dhe të nisja një zakon të ri në përditshmëri. Libri i parë më bëri të kuptoj që libri mund të jetë më shumë se sa diçka e mërzitshme”, tregon Xhesjoni.
Përvojat e mëparshme me librin nuk kishin qenë edhe aq frymëzuese, çka e shtyu të bënte një zgjedhje krejt personale. “Të gjithë librat që kam lexuar kanë qenë me detyrim nga shkolla ose nga njerëz që nuk më pëlqenin realisht. Në atë moment vendosa të lexoj atë që dua dhe atë që më intereson mua”, tregon ai.
Ngacmimi i parë erdhi pikërisht në vendin e punës. “Një ditë më është bërë një vërejtje nga drejtuesi, i cili më tha se duhet të punosh pak me kreativitetin tënd. Më tha që të lexoj libra dhe të shikoj filma. Kjo më zgjoi diçka”, tha Xhesjoni. Kështu, ai vendosi ta lidhë leximin me profesionin e tij si grafik dizajner dhe zgjodhi një libër me fokus te dizajni dhe kreativiteti.
Kureshtja e tij u zgjerua me shpejtësi drejt psikologjisë dhe vetënjohjes. “Pastaj gjeta një libër për ankthin dhe aty zbulova se ankthi im lidhet me vdekjen. Kjo solli një kuriozitet tjetër timin dhe kështu vazhduan me radhë të gjithë librat”, ndan ai me dëgjuesit.
Ndër veprat e para që e shënjuan këtë udhëtim ishte “Ta shohësh diellin në sy”, shkruar nga një psikolog që trajton raste pacientesh, si dhe “Kur qau Niçja”, një libër që, siç shprehet ai, “të mëson më shumë për marrëdhëniet dhe vetminë”.
Përgjatë katër viteve lexim intensiv, ku vetëm gjatë vitit të kaluar arriti të lexonte 40 libra, Xhesjoni vëren një transformim të thellë te vetja. “E shoh veten krejt ndryshe, jam bërë një njeri më i disiplinuar, mendimet i marr më seriozisht, jam bërë më shumë kurioz dhe e vendos në zbatim atë”.
Kur pyetet për reagimin e prindërve, ai tregon se fillimisht pati një lloj dyshimi. “Kanë qenë pak paragjykues në aspektin që të mos lexoja kaq shumë se po e teproja. Tani janë suportues”.
Nevoja për të dokumentuar këtë udhëtim lindi natyrshëm përmes faqes “Xhesjoni Lexon”, e cila shpejt u kthye në një hapësirë diskutimi. “Më shumë e kam hapur për ta pasur si një dritare personale, të dokumentoj atë që lexoj dhe të marr reagimin e lexuesve. Nuk e nisa me qëllimin për të pasur sukses si faqe. Ka njerëz që janë te libri i parë ose që lexojnë 100 libra në vit, por të gjithë kanë nevojë për një vend që të diskutojnë për librat”.
Megjithatë, hapat e parë publikë patën edhe sfidat e tyre. “Kam arritur të kuptoj që ka njerëz që lexojnë shumë më shumë se sa lexoj unë. Në faqen time unë po marr guximin të prezantoj një libër. Ka pasur një lloj paragjykimi “po ti që deri dje nuk ke lexuar fare dhe tani lexon kaq shumë. Disa edhe nuk e besojnë”.
Për të thyer tabutë dhe për të afruar lexuesit, Xhesjoni ndërmori edhe nisma ndërvepruese, si kërkesa ndaj ndjekësve për të dërguar foto selfie me librin që po lexojnë. “Edhe unë habitem që ka aq shumë lexues. Më vjen mirë që ndihen mirë me veten e tyre që të dalin publikisht, sepse edhe paragjykohen”.
Ai kujton me buzëqeshje edhe përvojat personale në hapësirat publike. “Kam bërë në mes të rrugës një foto me një libër dhe më kanë parë çuditshëm”.
Përveç dëshirës për zhvillim, leximi për të erdhi edhe si një nevojë për t’i ikur ritmit të çmendur të ditëve të sotme. “Dhe një arsye tjetër që kam dashur të lexoj është që ta marr pak jetën me ngadalë, se në epokën e Inteligjencës Artificiale jeta po ecën shumë shpejt dhe është bërë shumë e lodhshme”.
Pasioni i Xhesjonit për librin po merr trajtat e një qëllimi akoma më të madh. “Dua të hap një librari timen. Është ëndrra që kam”.
Në fund, mesazhi i tij për të gjithë dëgjuesit dhe lexuesit është frymëzues. “Nuk është asnjëherë vonë. Tani është momenti që të fillojnë të lexojnë sepse jeta është bërë kaq e shpejtë dhe Inteligjenca Artificiale është kudo. Libri të ndihmon të shkëputesh pak nga jeta reale por edhe të afrohesh më shumë me veten tënde. Nuk është vonë të ndryshosh profesion edhe 40 vjeç dhe jo më të lexosh që është kaq e thjeshtë, dhe ka për të të shpërblyer”.