Meloni paralajmëroi kufizim të nxënësve të huaj në shkolla/ Avokatja: Bie ndesh me Kushtetutën italiane. Çfarë ndodh me fëmijët shqiptarë

Një masë e re ligjore e paralajmëruar nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni pritet t’i paraqitet së shpejti Këshillit të Ministrave. Propozimi në fjalë parashikon vendosjen e një kufiri ligjor për numrin e nxënësve të huaj në çdo klasë si dhe ndalimin e burkës dhe nikabit në ambientet shkollore.
E ftuar për të sqaruar aspektet juridike dhe praktike të këtij propozimi në emisionin “Në Radio” të Andri Xhahut në Radio Tirana, avokatja shqiptare që ushtron veprimtarinë e saj në Itali, Anila Halili, ofroi një analizë të detajuar mbi atë çfarë pritet të sjellë ky projektligj.
Ajo vuri në dukje se ky është një lajm me ndikim të fortë, po aq diskriminues. Halili kujton se edhe në të kaluarën ka pasur qarkore për kufizimin e numrit të të huajve në klasa, por ato kanë krijuar vazhdimisht probleme në zbatim. “Janë deklarata të forta. Kanë të bëjnë me politikën aktuale në Itali që ka ngjallur debate mes të majtës dhe të djathtës. Debati është sa politik aq edhe administrativ pasi flitet për Kushtetutën italiane dhe mbi të gjitha për Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut”, u shpreh avokatja.
Sipas Halilit, nisma e qeverisë ndërtohet mbi tre shtylla kryesore: vendosjen e kuotës maksimale për nxënësit e huaj, kursin e detyrueshëm të italishtes për prindërit e fëmijëve që shfaqin vështirësi integruese, si dhe ndalimin e mbulesave fetare si burka e nikabi në shkolla.
Nga pikëpamja ligjore, kjo nismë përplaset me kuadrin ekzistues kushtetues. “Neni 34 i Kushtetutës italiane përcakton qartë se shkolla është e hapur për të gjithë, ndërsa arsimi bazë është i detyrueshëm dhe pa pagesë”.
Krahas kësaj, ekziston edhe një qarkore e Ministrisë së Arsimit e vitit 2010, e cila parashikonte që numri i nxënësve të huaj të mos kalonte 30% në një klasë. Pavarësisht kësaj, kjo normativë nuk është zbatuar efektivisht, ndërsa drejtuesit e shkollave shprehin shqetësimin se zbatimi strikt i tij do të shkaktojë ngërçe administrative, për shkak të numrit të lartë të fëmijëve të huaj që kanë të drejtë të arsimohen afër vendbanimit të tyre.
Kjo situatë ndërlikohet edhe më tej nga faktori demografik. Shkalla e lindshmërisë te çiftet me kombësi italiane është në rënie të vazhdueshme. “Çiftet italiane kanë mesatarisht një fëmijë ose zgjedhin të mos kenë fëmijë. Ndërsa të huajt të çdo kombësie kanë tendencën të lindin më shumë se një fëmijë”. Kjo bën që numri i nxënësve të huaj ta kalojë natyrshëm pragun prej 30%.
Halili ngre pikëpyetje thelbësore lidhur me zbatueshmërinë e këtij kufizimi. “Shteti mund të ndërhyjë në kufizimin e nxënësve të huaj, por duhet të garantojë që fëmijët të integrohen dhe të mos përfundojnë të përjashtuar. Nëse numri është më i madh çfarë do të bëhet me ta? I hiqet e drejta e shkollës, apo do të transferohen në një qytet tjetër? Janë të gjitha këto aspekte që duhen parë me kujdes”.
Çfarë nënkupton kjo nismë për komunitetin shqiptar? Për sa i përket fëmijëve shqiptarë që jetojnë ose lindin në Itali, avokatja Halili qetëson prindërit duke sqaruar se e drejta e tyre për arsimim mbetet plotësisht e garantuar. Pavarësisht statusit apo mungesës së dokumenteve, regjistrimi në shkollë deri në moshën 18-vjeçare është i detyrueshëm dhe pa pagesë.
Sidoqoftë, ajo ndalet te pika që kërkon detyrimin e prindërve për të mësuar gjuhën italiane, duke e cilësuar këtë si një element pozitiv të propozimit. “Shumë prindër të huaj ndodh që nuk shkojnë në mbledhje me mësuesit sepse nuk njohin gjuhën italiane. Për më tepër ata kanë tendencën të punojnë sa më shumë dhe të mbledhin para për rindërtimin e jetës, por duhet të konsiderojnë që shkollimi i fëmijëve është shumë i rëndësishëm”.
Avokatja paralajmëron se një kufizim i tillë mund të nxisë diskriminimin dhe ndarjen mes vendasve dhe të huajve. Pyetja kryesore mbetet se ku do të sistemohen nxënësit e tjerë sapo të plotësohet kuota prej 30%. Halili pret që projektligji të shoqërohet me debate të forta politike e juridike përpara se të mund të votohet. Në mbyllje, ajo shprehet optimiste për komunitetin shqiptar, duke theksuar: “Unë jam e para që them që fëmijët tanë kur shkojnë në shkollë janë shumica me nota të shkëlqyera dhe me dëshirën për të mësuar. Integrimi i tyre është i menjëhershëm”.