“I kam bërë ballë çdo gjëje vetë”/ Nga kënga për nënën te marrëdhënia me fëmijët dhe rikthimi i fuqishëm, Mira Konçi: Ju rrëfej planet e mia

“I kam bërë ballë çdo gjëje vetë”/ Nga kënga për nënën te marrëdhënia me fëmijët dhe rikthimi i fuqishëm, Mira Konçi: Ju rrëfej planet e mia

Në një rrëfim të sinqertë dhe me shumë emocion në emisionin “Në Radio” me Andri Xhahun në Radio Tirana, këngëtarja e njohur Mira Konçi ka ndarë me dëgjuesit detaje mbi rrugëtimin e saj artistik, jetën mes SHBA-së dhe Shqipërisë, si dhe rikthimin e fuqishëm në skenën muzikore pas gati një dekade mungesë.

Kthimi në studiot e Radio Tiranës ishte një udhëtim pas në kohë drejt vendit ku nisi çdo gjë. Teksa përshkonte korridoret ku hodhi hapat e parë, artistja nuk i fshehu dot emocionet. “Unë jam rritur në Radio Tirana. Fill pas koncertit me Gjergj Lekën në 1990, nisa këtu një kapitull tjetër. Koncerti ishte si të isha ‘Liza në Botën e Çudirave’. Atëherë nuk e perceptoja se isha e vogël, vetëm 17 vjeç. Pastaj këtu nisi një kapitull tjetër. Isha me fat që i përjetova të dyja, një gjë aq gjigante siç ishte koncerti, dhe pastaj një gjë kaq madhështore të këndoja me Orkestrën e RTSH, me instrumentistë fantastikë në atë kohë: Genc Dashin, Edison Mison, Shpëtim Saraçin. Kanë qenë ikona. Ndihesha si e lindur me këmishë.”

Artistja kujton se si e shoqëronte veten me kitarë gjatë viteve të shkollës duke kënduar “Let it be” apo “Mamy blue”. “Ishte fat sepse unë nuk vija nga një shkollë muzike, jam autodidakte, gjithçka është e lindur nga Zoti. Në shkollë të mesme këndoja me kitarë sepse kam qenë dikur në kurs kitare. Mbase do të bëj një dalje me kitarë se është shumë interesante. Më shihnin të gjithë rrugës se kitara ishte më e madhe se unë (qesh)”, tregon ajo.

Rikthimi i saj në skenë vjen me disa projekte të ndjera, të cilat përfaqësojnë maturinë e saj vokale dhe shpirtërore. Kënga “Më mbaj me vete” shënoi siparin e këtij kapitulli të ri. “Jam me fat që e kam këtë këngë. Kam dhënë më të mirën nga qenia ime. Është njësuar kaq shumë me mua sa më duket ‘unë’.”

Ndërsa projekti më i fundit është një dedikim, “Mama ime”. “Kantautori Haxhi Dauti, i cili jeton në New Jersey, një ditë më thotë që ka një këngë të bukur, duke ditur marrëdhënien time me mamin. Nga Manhattan-i shkoj në New Jersey në studion e tij. E dëgjova dhe kam ndjerë një emocion shumë të madh. Fjalët ishin shumë të thjeshta dhe shumë prekëse.”
Se si ka reaguar nëna e saj pas këtij dedikimi, këngëtarja tregon se ajo është mrekulluar. “Është natyrë që nuk ka shumë fjalë, vetë qenia e saj flet shumë kur përjeton emocion. Është gëzuar edhe nga reagimi i njerëzve që i kanë shkruar dhe e kanë marrë në telefon.”

E pyetur mbi pengjet apo pendesat gjatë këtij udhëtimi, artistja reflekton mbi mungesën e gjatë në skenë, por tregon se përvoja jetësore në SHBA i ka dhënë një pjekuri që sot reflektohet në artin e saj. “Kam dashur të jem shumë më prezente në skenë nga çfarë kam qenë. Me këtë rikthim dua të kompensoj mungesën 10-vjeçare në skenën shqiptare. Ndjej që jam rritur emocionalisht sepse Amerika është një shkollë jete në çdo drejtim, veçanërisht kur i bën ballë çdo gjëje vetë. Rritesh dhe piqesh mendërisht dhe emocionalisht dhe kjo reflektohet tek ajo që ti di të bësh më mirë. Ndjej që jam në maksimumin e vokalit, potencës shpirtërore dhe emocionale.”

Marrëdhënia me fëmijët e saj, Erën dhe Drinin, mbetet shtylla kryesore e jetës së saj personale dhe profesionale. Të dy ndjekin nga afër e me përkushtim rrugëtimin e saj artistik. Era është sa regjisore po aq dhe asistente melodie, duke qenë një krah i djathtë i pazëvendësueshëm. Drini, i cili vijon gjurmët e të atit si producent muzikor në studio, mbetet kritiku më vigjilent i teknikës vokale të së ëmës.

Përveç mbështetjes familjare, artistja foli hapur edhe për përballjen me spekulimet apo fjalët e liga që shpesh shoqërojnë figurat publike. Edhe pse në të kaluarën shpifjet e lëndonin, sot ajo shprehet se ka ndërtuar një imunitet të forte. “Fjalët e njerëzve lënë gjurmë më së shumti tek një njeri që nuk merret me jetën e tjetrit. Kur sajohen dhe fliten gjëra që janë me keqdashje dhe smirë, nga këto kam filluar të krijoj imunitet. Duke menduar që janë enkas njerëz që duan të të shqetësojnë. Gjithmonë çuditem dhe them: A kanë Zot këta njerëz?! Të shpifësh për dikë dhe të thuash një gjë që nuk është e vërtetë pa ditur asgjë nga tjetri, është mëkati më i madh. Kjo gjë më ka vrarë dikur shumë. Tani shoh anën e mirë të gjërave, energjinë rreth vetes. Falënderoj Zotin se këto raste kanë qenë në minorancë, kam pasur gjithmonë më shumë dashamirës.”

Nostalgjia për kryeqytetin mbetet e gjallë te Mira Konçi. Rruga e Durrësit, rruga “Fortuzi” apo zona pranë Liceut Artistik mbajnë kujtime të çmuara fëmijërie e rinie. “Ime më ka mësuar në shkollën ‘Kosova’. Edhe ajo më thotë që ka qenë rruga më e bukur, dilte me babin kur ishin të dashuruar. Më pëlqen shumë Tirana. Jam e dashuruar.”
Sa i përket brezit të ri të muzikës shqiptare, artistja shpreh vlerësime të larta për talentet e reja që po spikasin në skenë, duke veçuar ata që u prezantuan edhe në Festivalin e fundit në RTSH, midis tyre Alis.

Artistja ndau edhe planet muzikore. Përpunimi i një këngë nostalgjike të vitit 1987 nga Maksim Shehu (e kënduar origjinalisht nga Ëngjëllushe Lazo dhe Zija Saraçi). Po kështu një projekt origjinal me kompozitorin Genti Myftaraj, si dhe duete me Redon Makashin dhe një bashkëpunim me Voltan Prodanin.

 

Tashmë programet e radios mun t’i ndiqni përmes aplikacionit RTSH TANI, dhe nëse humbisni njërin syresh mund të riktheheni deri në një javë më pas.

Radio Tirana 1LIVE