E ëma e pa të garonte pas 20 vitesh/ Indrit Çullhaj shpallet kampion Ballkani, ja dedikimi prekës

E ëma e pa të garonte pas 20 vitesh/ Indrit Çullhaj shpallet kampion Ballkani, ja dedikimi prekës

Xhudisti shqiptar Indrit Çullhaj është shpallur kampion Ballkani në kategorinë 81 kg, pas një performance të kurorëzuar me katër fitore radhazi.

Me një karrierë të pasur që numëron 137 medalje, Çullhaj rrëfeu prapaskenat e këtij triumfi dhe sfidat e karrierës së tij në një intervistë për emisionin “Në radio” me Andri Xhahun.

​Triumfi i fundit kishte një peshë të veçantë emocionale për xhudistin, pasi garonte përpara publikut vendës. Çullhaj tregoi se në mendje kishte vetëm medaljen e artë, ndërsa numëron tetë medalje ballkanike, katër prej të cilave të vendit të parë. “Meqë do mbahej në Shqipëri, presioni ishte pak më i lartë, tifozët, familja, mami për herë të parë pas 20 vitesh erdhi për të më parë në garë,” tha xhudisti.

​Prania e nënës e bëri garën edhe më prekëse. Çullhaj pranoi se në fillimet e tij kishte emocione, por me përvojën e akumuluar ndër vite ka mësuar të menaxhojë vetveten, kundërshtarin dhe publikun. Teksa e shihte nënën nga distanca duke u dridhur prej emocioneve , ai donte t’i thoshte të rrinte e qetë sepse e kishte gjithçka nën kontroll. “Si prind kishte emocione dhe donte që të dilja i pari. Nuk kishte ngrënë gjithë ditën duke më parë. Më shumë kisha hallin e saj”.

Rruga drejt të medaljes së artë kaloi përmes katër ndeshjeve vendimtare. Pasi mposhti një sportist nga Kosova, një rumun dhe një grek, në finale u përball me një kundërshtar nga Mali i Zi, i cili renditej i treti në Kampionatin Evropian. “Ngritëm flamurin shqiptar në mes të Ballkanit. Ishte një gëzim shumë i madh për të gjithë,” u shpreh ai.

​Suksesi kërkon përgatitje të lartë fizike dhe taktike. Xhudisti shpjegoi se çdo kundërshtar ka teknikat e veta, ndaj çelësi qëndron te menaxhimi i situatës, qetësia, shpërthimi në momentin e duhur dhe përdorimi i forcës. Për të, i gjithë sekreti i suksesit mbështetet te rezistenca, forca, teknika dhe strategia e mirëmenduar.

​Një element kyç në karrierën e tij është marrëdhënia me trajnerin, i cili është njëkohësisht edhe vëllai i tij. Pavarësisht zhurmës në sallë, xhudisti tha se arrinte ta dëgjonte zërin e vëllait gjithë kohën, “pasi ai që është jashtë e shikon ndeshjen më mirë dhe udhëzon ku duhet pasur kujdes”.

​Marrëdhënia e veçantë mes vëllezërve është sprovuar edhe në momente të vështira. Duke kujtuar përvojën në Lojërat Olimpike të Tokios, për të cilat kishte punuar katër vite me radhë, Çullhaj tregoi se si kishte garuar me një brinjë të krisur. Kur kishin mbetur vetëm 20 sekonda nga ndeshja, dhimbja e fortë e pengoi të ngrihej. “Vëllai më tha: ‘Forca se kemi bërë 4 vite punë, çohu!’. Kjo ditë më kujtohet sa herë flitet për lëndime. Jam mundur të çohem deri në gjysmë, por dhimbjet ishin shumë të mëdha dhe më pas më çuan në spital me barelë. Ka qenë e dhimbshme,” kujtoi ai.

​Sot, motivimi më i madh i sportistit vjen nga familja e tij. Nëse medaljen e tij të parë ia ka dedikuar vajzës, Amberit, këtë të fundit ia kushtoi djalit të tij, Brilantit. Të dy fëmijët po e ndiqnin për herë të parë nga afër, ndërsa vajza thërriste “babi, babi” gjatë ndeshjes.

Për sa i përket të ardhmes, objektivi i tij radhës mbetet përfaqësimi dinjitoz në arenën ndërkombëtare. “Do doja që në Lojërat Olimpike të ardhshme në Los Angeles të kap pikët dhe të tregoj veten siç duhet. Aty shkojnë 25 më të mirët e globit,” tha ai.

​Veç arritjeve personale, Indriti, së bashku me dy vëllezërit e tij, po jetëson një ëndërr të përbashkët, hapjen e akademisë më të madhe në Shqipëri. Kjo akademi do të përfshijë 11 sporte të ndryshme si xhudo, boks, balet e gjimnastikë, nën drejtimin e trajnerëve më të mirë.

​Në mbyllje, kampioni tha se vetëm puna e palodhur sjell sukses të qëndrueshëm. Ai konfirmoi se do të vazhdojë stërvitjen me të njëjtin përkushtim për të arritur rekordet e radhës. “Puna dhe vetëm puna të sjell sukses. Kam një objektiv, sa të kem jetë do stërvitem shumë që të kem sa më shumë arritje dhe rekorde.”

 

Tashmë programet e radios mund t’i ndiqni përmes aplikacionit RTSH TANI, dhe nëse humbisni njërin syresh mund të riktheheni deri në një javë më pas.

Radio Tirana 1LIVE