Incidenti me avionin Dubai-Tel Aviv, shqiptarja zbulon detaje: Një grua dëgjoi zhurma në kabinë dhe…

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e së mërkurës në bordin e një avioni të kompanisë “FlyDubai”, i cili udhëtonte nga Dubai drejt Tel Avivit. Gjatë fluturimit, ndihmëspiloti ka sulmuar me thikë kapitenin brenda kabinës së pilotimit.
Detaje tronditëse nga kjo ngjarje janë rrëfyer nga aktivistja shqiptare që jeton në Izrael, Ita Gani (Jeta Gani), gjatë një interviste për emisionin “Në Radio” të gazetarit Andri Xhahu.
Gani tregoi se alarmi i parë në Izrael u dha si një rrëmbim i mundshëm avioni, por më pas u zbardh e vërteta e përleshjes në kabinë. “Ishtë një mëngjes i vështirë ai dje. Ajo çfarë tregoi një udhëtar është se një grua me vajzën e saj që ndodhej në tualet, dëgjoi zhurmat e para që vinin nga kabina e pilotëve. Doli me vrap dhe u thotë pasagjerëve që diçka po ndodh.”
Aktivistja përshkroi momentin dramatik kur kapiteni i gjakosur hapi derën e kabinës, veprim që ajo e cilëson si pikën kyçe që parandaloi katastrofën. “Sipas dëshmive, piloti i plagosur hapi derën e kabinës dhe mendoj që është momenti kryesor dhe i suksesshëm për këtë tragjedi, sepse nëse nuk do të arrinte të hapte derën, askush nuk do ta kishte kuptuar se çfarë po ndodhte brenda.”
Në ato momente kritike, kur avioni po humbiste lartësinë dhe lëkundej pa kontroll, një pasagjer izraelit mori përsipër rrezikun për të hyrë në kabinë. Ai u përball me agresorin e armatosur, ia hoqi thikën nga dora dhe kërkoi ndihmë për ta neutralizuar atë. Duke mos pasur asnjë përvojë në pilotim, pasagjeri veproi nën instinktin e mbijetesës për të parandaluar përplasjen e mjetit. “Ai tha se tërhoqi një kabllo dhe avioni u stabilizua. Thirri për ndihmë stafin dhe pilotët britanikë që ndodheshin në mesin e pasagjerëve, të cilët morën avionin në kontroll.”
Sipas Ganit, pas marrjes së kontrollit të kabinës, agresori u prangos, ndërsa një mjek në bord i dha ndihmën e parë kapitenit të plagosur rëndë. Sipas mjekëve, ndërhyrja e shpejtë për të ndaluar hemorragjinë i shpëtoi jetën pilotit heroik deri në momentin e uljes në Arabinë Saudite.
Pas kthimit të pasagjerëve në Tel Aviv po atë mbrëmje, heroi që shpëtoi 180 jetë u prit nga kryeministri Benjamin Netanjahu, ndërsa ngjarja u dënua ashpër ndërkombëtarisht, përfshirë presidentin Donald Tramp, si një akt i mirëfilltë me prapavijë terroriste. “Siç ndodhi në Izrael më 7 tetor 2023 apo më 11 shtator 2011 me sulmin terrorist në Amerikë. Këtë incident e lidhin me këto ngjarje se janë veprime si të grupeve terroriste. Jo çdo njeri mund të kryejë veprime të tilla”, tha Gani.
Përjetimi la pas trauma të mëdha te të gjithë pasagjerët në bord, ndërsa Ita Gani e mbylli rrëfimin e saj mes lotëve. “Ishte një mrekulli e vërtetë që na gëzoi kur pamë ata njerëz të tronditur që me lot gëzimi u kthyen në Izrael. Sepse kjo mund t’i ndodhë çdo njeriu. Terroristët nuk kanë adresë.”
Tashmë programet e radios mund t’i ndiqni përmes aplikacionit RTSH TANI, dhe nëse humbisni njërin syresh mund të riktheheni deri në një javë më pas.