Turandot – opera e fundit e Puccinit, mes misterit, dashurisë dhe tingullit monumental.

Turandot – opera e fundit e Puccinit, mes misterit, dashurisë dhe tingullit monumental.

Sonte, në orën 21:00, Radio Tirana Klasik sjell një nga veprat më të njohura dhe më spektakolare të repertorit operistik: “Turandot”, opera e fundit e Giacomo Puccinit.

Në këtë transmetim, Santana Xheladini sjell një portret muzikologjik dhe një analizë të veprës, duke u ndalur në veçoritë që e bëjnë “Turandot” një nga krijimet më të veçanta të repertorit operistik të shekullit XX.

E vendosur në një Pekin imagjinar, opera ndërthur atmosferën përrallore me dramën, misterin dhe konfliktin njerëzor. Në qendër qëndron princesha Turandot, e cila u vendos pretendentëve tri gjëegjëza, ndërsa princi Calaf pranon të përballet me sfidën, duke e çuar historinë drejt një prej kulmeve më të njohura të repertorit operistik.

Por “Turandot” nuk është vetëm një histori dashurie. Në këtë vepër, Puccini krijon një botë të pasur tingullore, ku orkestracioni, kontrastet dinamike, ngjyrat timbrike, koralet dhe linjat vokale ndërtojnë një atmosferë të veçantë dramatike. Gjuha muzikore e operës shënon gjithashtu një moment të rëndësishëm në zhvillimin e stilit të Puccinit, duke e larguar atë nga disa prej modeleve tradicionale të operës italiane dhe duke e çuar drejt një trajtimi më kompleks të orkestrës dhe materialit muzikor.

Në analizën muzikologjike do të vëmë në fokus mënyrën se si muzika e Puccinit ndërton karakteret dhe tensionin dramatik, marrëdhënien mes zërit dhe orkestrës, përdorimin e motiveve muzikore, si dhe disa prej momenteve më të njohura të veprës, përfshirë arien “Nessun dorma”.

“Turandot” mbeti e papërfunduar nga Puccini në momentin e vdekjes së tij, në vitin 1924, dhe opera u përfundua më pas nga Franco Alfano, mbi materialin e lënë nga kompozitori. Pikërisht kjo histori e bën veprën edhe më interesante: ajo që do të ishte opera e fundit e Puccinit mbetet njëkohësisht një dëshmi e një etape të rëndësishme të krijimtarisë së tij.

Sonte, në orën 21:00, në Radio Tirana Klasik – “Turandot” e Puccinit, përmes një vështrimi muzikologjik nga Santana Xheladini.

Një vepër ku përralla, drama, vokali dhe orkestracioni bashkohen në një prej kulmeve të repertorit operistik.

 

Tashmë programet e radios mund t’i ndiqni përmes aplikacionit RTSH TANI, dhe nëse humbisni njërin syresh mund të riktheheni deri në një javë më pas.

Radio Tirana 1LIVE