“Klubi 5” – BE drejt një modeli të ri zgjerimi, Kamberi: Integrimi gradual mund të përshpejtojë procesin e vendeve kandidate

Bashkimi Evropian po shqyrton një qasje të re për procesin e zgjerimit, e cila synon të përshpejtojë integrimin e vendeve kandidate dhe të forcojë zbatimin e reformave gjatë periudhës së negociatave.
Kjo çështje u diskutua në emisionin “Klubi 5” në Radio Tirana, ku i ftuar ishte eksperti i çështjeve europiane, Geron Kamberi. Ai analizoi dokumentin që pritet të prezantohet në Bruksel që lidhet me procesin e integrimit të vendeve si Shqipëria, Ukraina dhe Moldavia në Bashkimin Evropian.
Sipas Kamberit, dokumenti synon të vendosë prioritete më të qarta për reformat që duhet të ndërmarrin vendet kandidate, si dhe të përcaktojë afate dhe rezultate konkrete për secilin grup kapitujsh të negociatave. Qëllimi është të nxitet përparimi i vendeve aspirante dhe të shmangen vonesat në procesin e anëtarësimit.
Eksperti theksoi se Bashkimi Evropian po përballet me sfida të reja, të cilat mund të ndikojnë edhe në vetë strukturën e unionit në vitet e ardhshme. Sipas tij, zgjerimi me vende të reja kërkon përshtatje institucionale dhe reforma të brendshme, si nga ana e vendeve kandidate ashtu edhe nga vetë BE-ja.
Duke iu referuar metodologjisë së re të zgjerimit, Kamberi nënvizoi se ajo synon ta bëjë procesin më dinamik dhe më të parashikueshëm. Në këtë kuadër, vendet kandidate mund të përfitojnë gradualisht nga disa politika dhe mekanizma të Bashkimit Evropian edhe para anëtarësimit të plotë.
Sipas tij, një nga opsionet që po shqyrtohen është integrimi gradual, ku vendet kandidate do të kenë mundësi të përfshihen në fusha të caktuara të politikave europiane ndërsa vazhdojnë zbatimin e reformave. Një tjetër alternativë parashikon ruajtjen e modelit aktual të negociatave, ndërsa po diskutohet edhe një model i ndërmjetëm që kombinon elemente të të dyja qasjeve.
Gjatë intervistës u diskutua edhe ndikimi që mund të ketë zgjerimi i ardhshëm i BE-së me vende të mëdha si Ukraina, e cila për shkak të peshës demografike dhe politike konsiderohet një faktor i rëndësishëm në vendimmarrjen e ardhshme europiane.
Duke folur për perspektivën e Shqipërisë, Kamberi u shpreh se vendi ka mundësi të përfitojë nga qasja e re e Bashkimit Evropian, veçanërisht nëse vijon me ritëm të qëndrueshëm zbatimin e reformave dhe përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga procesi i negociatave.
Në përfundim të intervistës, ai theksoi se zgjerimi mbetet një nga politikat më strategjike të Bashkimit Evropian dhe se modelet e reja të integrimit synojnë të krijojnë një proces më efikas, më gjithëpërfshirës dhe më të dobishëm si për vendet kandidate ashtu edhe për vetë unionin. Sipas tij, e ardhmja e projektit europian lidhet ngushtë me aftësinë për të integruar vende të reja duke ruajtur njëkohësisht kohezionin dhe funksionimin e institucioneve të përbashkëta.
Tashmë programet e radios mund t’i ndiqni përmes aplikacionit RTSH TANI, dhe nëse humbisni njërin syresh mund të riktheheni deri në një javë më pas.