“Më mungon vendlindja”/ Hana Cakuli rikthehet me “Ndal”, rrëfimi i ndjerë për jetën në Gjermani dhe planet në muzikë

Pas një shkëputjeje të gjatë nga skena muzikore që prej vendosjes së saj në Mynih të Gjermanisë në vitin 2013, këngëtarja e njohur Hana Cakuli është rikthyer me projektin e ri muzikor të titulluar “Ndal”. Kënga vjen me muzikë nga Armend Rexhepagiqi dhe tekst të Aida Barakut, duke shënuar kështu videoklipin e saj të parë muzikor pas më shumë se një dekade.
Në një intervistë për emisionin “Në Radio” të Andri Xhahut në Radio Tirana, Hana sqaroi se pse ky projekt përfaqëson rikthimin e saj të mirëfilltë. Ajo kujtoi se në vitin 2022 solli këngën “Përjetë” si një dedikim personal, por “Ndal” është rikthimi me videoklip që shënon fillimin e një kapitulli të ri në karrierën e saj.
Hana tregon se ky rikthim është për publikun shqiptar që nuk ka reshtur së pyeturi: “Ku je? Ku u zhduke?!”. Kënga “Ndal” ka historinë e saj. “Ka vite që është aty si demo, bashkë me këngën ‘U shërova’. Mbase ‘Ndal’ ka pritur që të jetë një këngë e rikthimit, duke qenë se ka stilin tim”, u shpreh Hana. Ajo shpjegoi se bashkë me producentin Florent Boshnjaku janë përpjekur t’i japin këngës një ton më modern, duke i qëndruar besnike stilit të saj, por njëkohësisht duke e sjellë në hap me kohën.
Zgjedhja e këtij projekti erdhi natyrshëm, pasi nuk dëshironte të kthehej si një artiste krejtësisht ndryshe, por ta përdorte këtë këngë si një urë lidhëse mes krijimtarisë së mëparshme dhe projekteve që do të publikojë së shpejti.
Artistja konfirmoi se ky është vetëm fillimi i një rrugëtimi më të gjatë. Aktualisht ka në punim e sipër një tjetër këngë që do të shoqërohet me videoklip, si dhe krijime të tjera që presin të realizohen. Komentet e ngrohta të publikut si “Faleminderit që u ktheve” apo “Sa na ke munguar” i kanë dhënë forcë dhe motivim të madh për të vazhduar.
Gjatë viteve të kaluara në Gjermani, muzika nuk ka munguar plotësisht, megjithëse vëmendja kryesore u zhvendos te studimet dhe familja. Hana tregoi se u shpërngul në Mynih në vitin 2013 për të kryer studimet master në menaxhim. Më pas nisi punën dhe u bë nënë e tri vajzave. Ajo punon me kohë të plotë për Amazon Web Services, ku ekipi i saj lidhet me botën e IT-së dhe Inteligjencës Artificiale.
Kolegët ndërkombëtarë në punë mbeten të befasuar kur mësojnë për karrierën e saj muzikore. Hana tregoi me humor se disa prej tyre i shkruajnë se po e dëgjojnë këngën “Ndal” ndërsa udhëtojnë në metronë e Londrës, edhe pse nuk e kuptojnë gjuhën shqipe.
Vajzat e saj, binjaket pothuajse 11-vjeçare dhe e vogla dy vjeçe e gjysmë, e kanë mësuar të gjithë këngën “Ndal” dhe kërkojnë me kureshtje ta shohin videoklipin në televizor. Dy vajzat e mëdha janë pjesë e korit të shkollës dhe kanë performuar në skenën gjigante të Olympia Zentrum në Mynih. Këngëtarja u shpreh se nëse vajzat do të zgjedhin rrugën e artit, ajo do të jetë mbështetësja e tyre më e madhe, pa i detyruar asnjëherë.
E lindur dhe e rritur në Ulqin, me nënën nga Prishtina dhe me dashuri të madhe për Tiranën, Hana e përshkruan jetën e saj si një trekëndësh shpirtëror. Ajo tha se i mungon shumë familja, shoqëria, deti dhe natyra e vendlindjes.
Lidhur me skenën e sotme muzikore shqiptare, këngëtarja nuk pajtohet me mendimin se muzika e mirë ka humbur. Ajo vlerëson punën e artistëve si Yll Limani apo Alban Skënderaj dhe suksesin e koncerteve të tyre nëpër Europë.
E pyetur për mundësinë e pjesëmarrjes në Festivalin e Këngës në RTSH për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurovision, Hana u shpreh: “Eurovision-in e ndjek me shumë qejf. Është nga skenat që çdo këngëtar ka dëshirë ta prekë. Nuk kam pasur ende një këngë për festivalin e RTSH-së dhe për Eurovision, edhe kur më kanë ftuar drejtorët e festivalit. Nuk kam asgjë konkrete, por është shumë qejf të këndosh përpara gjithë Europës”, u shpreh ajo.
Këngëtarja vlerësoi edhe rrugëtimin e Shqipërisë ndër vite në Eurovision, duke veçuar përfaqësimet unike si ai i Rona Nishliut, si dhe interpretimet e Adrian Lulgjurajt, Olta Bokës e shumë artistëve të tjerë.
Tashmë programet e radios mund t’i ndiqni përmes aplikacionit RTSH TANI, dhe nëse humbisni njërin syresh mund të riktheheni deri në një javë më pas.