“Ligj me drejtësi” – Asambleja Botërore e Noterisë në Tiranë, sfidat dhe zhvillimet e noterisë shqiptare

Siguria juridike, digjitalizimi i shërbimeve noteriale dhe roli i noterit në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve ishin në fokus të emisionit “Ligji me Drejtësi” në Radio Tirana. I ftuar në studio ishte Fatmir Laçej, këshilltar pranë Dhomës Kombëtare të Noterëve dhe kryetar i Komisionit Organizativ për zhvillimin e Asamblesë Botërore të Noterisë në Tiranë.
Gjatë intervistës u bë e ditur se Shqipëria do të presë nga 14 deri më 17 tetor një nga aktivitetet më të rëndësishme ndërkombëtare të fushës noteriale, ku do të marrin pjesë rreth 250 noterë nga 93 vende të botës. Sipas Laçejt, përzgjedhja e Tiranës si vend mikpritës për këtë aktivitet përfaqëson një vlerësim të rëndësishëm për noterinë shqiptare dhe progresin e saj në përmbushjen e standardeve ndërkombëtare.
Ai theksoi se noteria shqiptare ka bërë hapa të rëndësishëm në drejtim të modernizimit dhe digjitalizimit të shërbimeve. Një nga prioritetet kryesore ka qenë standardizimi i kontratave dhe procedurave noteriale, me qëllim uljen e kohës së shërbimit, rritjen e sigurisë juridike dhe lehtësimin e procedurave për qytetarët.
Sipas tij, sistemi digjital i noterisë shqiptare është ndërtuar në përputhje me standardet europiane dhe garanton siguri më të lartë në administrimin e dokumenteve, duke përmirësuar njëkohësisht efikasitetin e shërbimeve. Digjitalizimi pritet të sjellë edhe zhvillime të reja për qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, duke mundësuar në të ardhmen kryerjen e akteve noteriale në distancë.
Një tjetër temë me rëndësi ishte bashkëpunimi ndërkombëtar, veçanërisht me Italinë. Laci shpjegoi se po punohet për formalizimin e marrëveshjeve që do të lehtësojnë procedurat për emigrantët shqiptarë, duke shmangur kostot dhe kohën e udhëtimeve për kryerjen e shërbimeve noteriale.
Në kuadër të integrimit evropian, noteria shqiptare po përgatitet gjithashtu për t’u bërë pjesë e Regjistrit Evropian të Testamenteve. Ky sistem do të mundësojë identifikimin dhe verifikimin e testamenteve të regjistruara në vende të ndryshme europiane, duke rritur sigurinë juridike dhe duke lehtësuar procedurat për qytetarët dhe familjarët e tyre.
Lidhur me tarifat noteriale, u bë e ditur se po zhvillohen diskutime dhe studime për një rishikim të mundshëm të tyre, duke pasur parasysh se tarifat aktuale nuk kanë pësuar ndryshime prej vitesh. Megjithatë, u theksua se çdo ndryshim do të analizohet me kujdes për të ruajtur balancën mes cilësisë së shërbimit dhe interesit të qytetarëve.
Gjatë emisionit u diskutuan edhe çështje praktike të ngritura nga dëgjuesit, si procedurat e trashëgimisë, të drejtat e fëmijëve të adoptuar, aktet e dhurimit, prokurat dhe kontratat e shitblerjes. Eksperti sqaroi se fëmijët e adoptuar gëzojnë të njëjtat të drejta ligjore si fëmijët biologjikë dhe se çdo veprim juridik duhet të respektojë dispozitat e legjislacionit në fuqi.
Asambleja Botërore e Noterisë në Tiranë konsiderohet një mundësi e rëndësishme për promovimin e Shqipërisë, shkëmbimin e përvojave ndërkombëtare dhe forcimin e rolit të noterisë shqiptare në procesin e integrimit europian.
Tashmë programet e radios mund t’i ndiqni përmes aplikacionit RTSH TANI, dhe nëse humbisni njërin syresh mund të riktheheni deri në një javë më pas.