Dyshime për tjetër rast me murtajë në Rusi, Shapo: Rrezik i kufizuar. Sa duhet të shqetësohemi?

Dyshime për tjetër rast me murtajë në Rusi, Shapo: Rrezik i kufizuar. Sa duhet të shqetësohemi?

Një ngjarje në Rusinë lindore ka vënë në lëvizje autoritetet ndërkombëtare të shëndetësisë. Një laborante 28-vjeçare ka humbur jetën pasi theu një epruvetë me baktere në një institut të specializuar kundër murtajës në Irkutsk, ndërsa dyshimet për një rast të dytë me pneumoni kanë rritur vigjilencën.

​Në një komunikim të drejtpërdrejtë nga Londra për emisionin “Në Radio” të Andri Xhahut, eksperti i shëndetit publik, dr. Leidon Shapo, analizoi rrethanat e incidentit, rrezikun e transmetimit dhe sfidat që lidhen me menaxhimin e kësaj situate.

​​Sipas dr. Shapos, çdo pneumoni e rëndë apo vdekje e pashpjeguar e personelit në institute të tilla ngre menjëherë pikëpyetje për një incident bio-sigurie dhe jo thjesht për një ekspozim të zakonshëm profesional. Megjithatë, ai bën thirrje për maturi në interpretimin e ngjarjes, duke theksuar se alarmi aktual lidhet me nevojën për verifikim të shpejtë dhe jo me provën se jemi përpara një shpërthimi masiv. ​Rasti i parë ende nuk është konfirmuar zyrtarisht si murtajë, ndërsa raportimet për punonjësin e dytë mbeten gjithashtu të pakonfirmuara.

​Sipas mjekut, gjasat që infeksioni të përhapet jashtë mureve të institutit vlerësohen të ulëta, veçanërisht nëse të gjitha kontaktet janë identifikuar në kohë. Të dhënat tregojnë se rreth 200 persona janë izoluar dhe po monitorohen.

​Dr. Shapo sqaron dallimin thelbësor midis murtajës dhe infeksioneve të tjera respiratore. ​“Murtaja pneumonike zakonisht kërkon një kontakt të afërt dhe të drejtpërdrejtë me personin që ka simptoma. Nuk përhapet aq lehtë sa gripi, Covid-19 apo infeksionet respiratore. Në këtë rast rreziku kryesor mbetet lokal pra kolegët, familjarët, personeli shëndetësor që mund të kenë pasur kontakt të pambrojtur.” ​Për këtë arsye, procesi i survejancës dhe vlerësimi i kontakteve të “pacientit zero” (laborantes që humbi jetën) përbën hapin më kritik në këtë fazë.

​E shkaktuar nga bakteri Yersinia Pestis, murtaja qarkullon te brejtësit dhe pleshtat e tyre. “Njeriu mund të infektohet nga pickimi i pleshtit të infektuar, kontakti i pambrojtur me inde ose lëngje të infektuara, dhe në formën pneumonike për të cilën bëhet fjalë në këtë rast, nga thithja e grimcave respiratore të nxjerra nga pacineti i sëmurë.” Nga tri format kryesore (bubonike, septikemike dhe pneumonike), kjo e fundit transmetohet drejtpërdrejt nga njeriu te njeriu.

​Dr. Leidon Shapo shpjegon se simptomat si ethet, temperatura, kollitja me gjak, këputja apo deliri shfaqen me shpejtësi dhe mund ta përkeqësojnë gjendjen e pacientit brenda 18–24 orëve të para. Sidoqoftë, ai nënvizon se shpejtësia e përparimit të simptomave te pacienti nuk duhet të ngatërrohet me lehtësinë e përhapjes në popullatë.

Murtaja megjithëse ishte shumë problematike në Mesjetën e vonë, në shekullin e XIV, e njohur si “vdekja e zezë”, nuk është zhdukur. “Ajo mbetet endemike në disa vatra natyrore. Të dhënat e OBSH-së për periudhën 2019–2025 tregojnë se janë raportuar 3,847 raste dhe 423 vdekje në 10 shtete të ndryshme (pjesa më e madhe në Afrikën Qendrore, Republikën Demokratike të Kongos dhe Madagaskar), ku shumica dërrmuese i përkasin formës bubonike. Ndërsa forma pneumonike është më e rrallë por padyshim më urgjente për shëndetin publik.”

​Edhe pse sot nuk ekziston një vaksinë për murtajën, sëmundja trajtohet me sukses përmes antibiotikëve nëse ndërhyrja bëhet në kohë. Në format pneumonike, mjekimi duhet të nisë menjëherë mbi bazën e dyshimit klinik, pa pritur konfirmimin përfundimtar nga laboratori.

​Pikërisht këtu lind pyetja mbi menaxhimin e rastit në Siberi. ​“Në rastin konkret të humbjes së jetës së vajzës që punonte në një institut kërkimor shkencor dhe punonte me të tilla preparate të bio-sigurisë së lartë, të qëndruarit disa ditë pa u trajtuar është e pakuptimtë për mua. Dhe i jep jetë variantit rus që është apo nuk është forma pneumonike e murtajës që ka infektuar laboranten. Kjo duhet të dalë që të na sqarojë të gjithë ngjarjen. Është një kaskadë ku çdo element është i lidhur shumë ngushtë me tjetrin.”

​Qasja e vendeve si Kina apo Rusia ndaj transparencës ndërkombëtare vazhdon të ngrejë shqetësime të ngjashme me ato të periudhës së fillimit të pandemisë Covid-19. Mungesa e informacionit jo vetëm që pengon vlerësimin e saktë të rrezikut dhe identifikimin e patogjenit, por edhe dobëson masat gjurmuese e krijon hapësirë për panik të paqenë në popullatë. ​Sipas dr. Shapos, prania e personelit të armatosur pranë laboratorit vetëm sa shton elementet e panikut pa ofruar asnjë qartësi. Ai i mëshon faktit se qetësia e publikut buron vetëm nga transparenca e plotë.

​Për të mbrojtur popullatën dhe për të shmangur dëmet në shëndetin mendor e fizik, institucionet duhet të japin përgjigje të qarta për pyetjet kryesore: “Si ndodhi saktësisht ngjarja? A kishte thyerje të pakujdesshme të epruvetës? Si u kontaminua personi zero dhe a po zbatoheshin protokollet e mbrojtjes me veshje speciale në atë ambient të bio-sigurisë së lartë? Transparencë nuk do të thotë alarmim, por publikim në kohë i rezultateve laboratorike, i kronologjisë së ekspozimit dhe masave të ndërmarra, në mënyrë që situata të mund të verifikohet edhe në nivel ndërkombëtar”, përfundoi dr. Leidon Shapo.

 

Tashmë programet e radios mund t’i ndiqni përmes aplikacionit RTSH TANI, dhe nëse humbisni njërin syresh mund të riktheheni deri në një javë më pas.

Radio Tirana 1LIVE