“Frigoriferët e vjetër shpëtuan”/ Hakerët sulmojnë marketet në Suedi, gazetarja: Jemi në luftë hibride

“Frigoriferët e vjetër shpëtuan”/ Hakerët sulmojnë marketet në Suedi, gazetarja: Jemi në luftë hibride

Një sulm i paprecedentë dhe i koordinuar kibernetik ka goditur rrjetet më të mëdha të supermarketeve në Suedi, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe pasiguri te qytetarët.
Në një lidhje direkte nga Stokholmi për emisionin “Në Radio” të Andri Xhahut në Radio Tirana, gazetarja Diana Thomai solli detaje mbi situatën e krijuar dhe reagimin e autoriteteve suedeze.
Hakerët përmes internetit kanë nxjerrë jashtë funksionit frigoriferët dhe ngrirësit e disa dyqaneve ushqimore të ICA-s, Coop-it dhe Axfood-it në rajone të ndryshme të Suedisë si Skåne, Öland, Värmland, Stokholm, Gästrikland dhe Hälsingland.

Thomai u shpreh se sulmi i ka vendosur pajisjet në gjendje shkrirjeje, duke bërë që ato të lëshojnë ajër të ngrohtë dhe temperaturat të arrinin deri në 50 gradë. Si pasojë, u shkatërruan sasi të mëdha produktesh ushqimore që përbënin rrezik për konsum, duke sjellë dëme financiare. “Dëmi është mjaft i madh, flitet për qindra mijëra euro”, theksoi gazetarja.

Për më tepër, ky sulm preku edhe zinxhirin e shërbimeve digjitale, ku dërgesat dhe porositë online u vonuan ose nuk u dorëzuan në kohë, ndërsa një ndër marketet më të goditura u detyrua të mbyllej për të bërë zëvendësimin e mallrave. Ironikisht, ato që mbetën të paprekura ishin pajisjet më të vjetra: “Fakt është që të gjithë frigoriferët e vjetër që nuk lidhen online kanë shpëtuar nga ky sulm kibernetik,” u shpreh ajo.

Suedia, e cila krenohet si një ndër vendet më të digjitalizuara dhe të sigurta në botë, u gjet e papërgatitur përballë kësaj goditjeje. Sipas ekspertëve dhe gazetares Thomai, arsyeja kryesore lidhet me sigurinë e pajisjeve. “Të gjitha dyqanet e prekura përdornin pajisje dhe softuer të kompanisë daneze Danfoss, e cila mundësonte menaxhimin e frigoriferëve nga distanca”.

Ekspertët shpjeguan se këto pajisje kishin mbrojtje të dobët, përdornin fjalëkalime tepër të thjeshta dhe informacioni rreth tyre gjendej lehtësisht në internet. “Qytetarët janë shumë të shqetësuar sepse është një sulm që nuk ka ngjarë më herët në Suedi edhe pse ishte i paralajmëruar sepse i njëjti sulm ndodhi në Francë. Është dashur që të merren të gjitha masat”.

 

Ministri suedez për Mbrojtjen Civile, Carl-Oscar Bohlin, deklaroi se qeveria po i ndjek me shumë vëmendje këto sulme kibernetike dhe bëri thirrje për veprime të menjëhershme. Autoritetet suedeze kanë konfirmuar mbështetjen për dyqanet e prekura, duke kërkuar mbylljen urgjente të boshllëqeve të sigurisë.

Megjithëse ende nuk ka një konfirmim zyrtar se kush qëndron pas këtij akti, “besohet se pas tij fshihen faktorë ose rryma me synime keqdashëse”, në kuadër të një lufte hibride të hapur ku ndodhet tashmë e gjithë Europa.

Në fund gazetarja Diana Thomai dha një mesazh të qartë: “Është kohë e rrezikshme dhe të gjithë duhet të kemi në kontroll informacionet e ndjeshme dhe të mos i shpërndajmë online. Duhet të kemi shumë kujdes! E gjithë Europa tashmë mund të themi që është në luftë të hapur hibride dhe është në gjendje gatishmërie. Priten sulme të tilla. Duhet të jemi vigjilentë dhe t’i kapim në kohë për të mos shkaktuar dëme të mëdha.”

 

Tashmë programet e radios mund t’i ndiqni përmes aplikacionit RTSH TANI, dhe nëse humbisni njërin syresh mund të riktheheni deri në një javë më pas.

Radio Tirana 1LIVE