Zhvlerësimi i euros dhe sfidat e ekonomisë shqiptare, në fokus të “Klubi 5” me profesor Adrian Civicin

Zhvlerësimi i euros dhe sfidat e ekonomisë shqiptare, në fokus të “Klubi 5” me profesor Adrian Civicin

Rënia e vlerës së euros, ndikimi në ekonominë shqiptare dhe fuqia blerëse e qytetarëve ishin në fokus të emisionit “Klubi 5” në Radio Tirana, ku i ftuar ishte eksperti i ekonomisë, profesor Adrian Civici.

Gjatë diskutimit, u analizuan faktorët që ndikojnë në zhvlerësimin e euros kundrejt lekut, si dhe pasojat që kjo dukuri sjell për bizneset, konsumatorët dhe ekonominë në tërësi. Sipas profesorit, zhvlerësimi i euros nuk është një fenomen i përkohshëm, por lidhet me disa faktorë strukturorë të ekonomisë shqiptare.

Një nga elementët kryesorë është përdorimi i dy monedhave në ekonominë e vendit, lekut dhe euros. Profesor Civici theksoi se Shqipëria funksionon praktikisht në një ekonomi dymonedhore, ku euro ka një peshë të konsiderueshme në depozita, kreditim, pagesa dhe transaksione të ndryshme. Kjo e bën më të ndërlikuar ndërhyrjen për të ruajtur ekuilibrin mes dy monedhave.

Ai nënvizoi se zhvlerësimi i euros nuk ka vetëm pasoja negative, pasi disa sektorë të ekonomisë mund të përfitojnë nga ky fenomen. Megjithatë, për një pjesë të konsiderueshme të qytetarëve dhe bizneseve, veçanërisht për ata që kanë të ardhura në euro, rënia e kursit ndikon drejtpërdrejt në fuqinë e tyre blerëse.

Një tjetër çështje e trajtuar ishte ndikimi i kursit të këmbimit në çmimet e produkteve dhe shërbimeve. Pavarësisht zhvlerësimit të euros, qytetarët nuk e ndiejnë këtë ndryshim në mënyrë të drejtpërdrejtë në blerjet e përditshme, në supermarkete, tregje apo restorante. Sipas profesorit, kjo lidhet me mënyrën se si funksionon tregu dhe me strukturën e ekonomisë shqiptare.

Profesor Civici u ndal edhe te rëndësia e remitancave, turizmi dhe investimeve të huaja, të cilat përbëjnë burime të rëndësishme të hyrjes së valutës në vend. Megjithatë, ai theksoi se këto burime nuk mund të jenë të vetmet shtylla të zhvillimit ekonomik. Shqipëria duhet të orientohet drejt një modeli të qëndrueshëm, të mbështetur në rritjen e produktivitetit, zhvillimin e industrisë, teknologjive të reja dhe eksporteve.

Sipas ekspertit, niveli i pagave dhe konsumi i qytetarëve janë të lidhur ngushtë me produktivitetin e ekonomisë. Për këtë arsye, ai vlerësoi se vendi duhet të kalojë nga një model ekonomik i bazuar kryesisht në importe dhe konsum, drejt një modeli që mbështet prodhimin vendas dhe eksportet.

Në këtë kontekst, turizmi mbetet një potencial i rëndësishëm për ekonominë shqiptare, por nuk duhet të konsiderohet si motori i vetëm i zhvillimit. Një ekonomi e mbështetur kryesisht në shërbime dhe turizëm mund të përballet me rreziqe strukturore, nëse nuk shoqërohet me zhvillimin e sektorëve të tjerë prodhues.

I pyetur mbi objektivat kryesore të politikave ekonomike, profesor Civici theksoi se përtej kontrollit të inflacionit dhe stabilitetit monetar, prioritet duhet të jetë rritja e investimeve dhe zhvillimi i sektorëve që ofrojnë produktivitet më të lartë. Ai argumentoi se ekonomia shqiptare ka nevojë për ndryshime strukturore, përmirësim të sistemeve të investimeve dhe modernizim të kapaciteteve prodhuese.

Në përfundim, diskutimi në “Klubi 5” evidentoi nevojën për një qasje afatgjatë ndaj ekonomisë shqiptare, ku zhvlerësimi i euros të mos trajtohet vetëm si një çështje e kursit të këmbimit, por si një tregues i sfidave më të thella të strukturës ekonomike të vendit.

 

Tashmë programet e radios mund t’i ndiqni përmes aplikacionit RTSH TANI, dhe nëse humbisni njërin syresh mund të riktheheni deri në një javë më pas.

Radio Tirana 1LIVE