Arvo Pärt – Muzika që kërkon heshtjen

Sonte në orën 21:00 | Radio Tirana Klasik
Në një botë muzikore të mbushur me kompleksitet, Arvo Pärt na fton të dëgjojmë ndryshe: të ngadalësojmë, të përqendrohemi te tingulli dhe të zbulojmë thellësinë që mund të fshihet pas formave më të thjeshta muzikore.
Kompozitori estonez, një prej figurave më të veçanta të muzikës bashkëkohore, krijoi një gjuhë të dallueshme, ku minimalizmi, frymëzimi shpirtëror dhe marrëdhënia mes tingullit e heshtjes ndërtojnë një përvojë të veçantë dëgjimore. Teknika e tij kompozicionale, e njohur si tintinnabuli, e zhvilluar në vitet 1970, u bë një element thelbësor i identitetit të tij artistik.
Muzika e Pärt-it nuk mbështetet te madhështia e efektit, por te fuqia shprehëse e çdo note, te qartësia e strukturës dhe te një kohë muzikore që duket sikur shkëputet nga ritmi i përditshëm. Vepra si Spiegel im Spiegel dhe Fratres dëshmojnë aftësinë e tij për të krijuar një univers tingullor sa të përmbajtur, aq edhe emocionalisht të thellë.
Sonte, në Radio Tirana Klasik, ju ftojmë të njiheni me portretin biografiko-artistik të Arvo Pärt-it dhe me veçantinë e një krijimtarie që ka kapërcyer kufijtë e muzikës bashkëkohore, duke gjetur një vend të rëndësishëm në koncertet, teatrot dhe hapësirat e dëgjimit në mbarë botën.
Arvo Pärt – kur pak nota thonë më shumë.
Santana Xheladini, ju fton sonte në orën 21:00, të ndiqni muzikë qe merr zë nga heshtja.
Vetem në Radio Tirana Klasik
Tashmë programet e radios mund t’i ndiqni përmes aplikacionit RTSH TANI, dhe nëse humbisni njërin syresh mund të riktheheni deri në një javë më pas.