“Djali vendoste kokën te karrigia e të atit”/ Dashuria që kalon përtej You Tube, rrëfimi i dhimbshëm i Ejonës dhe një mesazh force pas humbjes së bashkëshortit

Ejona Blaceri është një nga figurat më të dashura të botës digjitale në Shqipëri. Përmes kanalit të saj në YouTube “Ejona Vlogs”, i cili numëron mbi 80 mijë ndjekës dhe më shumë se 35 milionë shikime, ajo ka fituar zemrat e publikut me thjeshtësinë, origjinalitetin dhe frymën pozitive që përcjell çdo ditë. Mirëpo, pas buzëqeshjes dhe videove plot jetë, fshihet një histori dhimbjeje dhe force.
Në një rrëfim prekës dhe tejet personal për emisionin “Në Radio” me Andri Xhahun në Radio Tirana, Ejona ka ndarë detaje mbi ngjarjen që i ndryshoi jetën dhe rrugëtimin e saj për të gjetur forcën.
Pas një periudhe jetese në Zvicër, Ejona dhe bashkëshorti i saj kishin vendosur të ndërtonin të ardhmen në Shqipëri. Ishte një dëshirë e përbashkët me qëllim për të promovuar bukuritë e natyrës shqiptare. “Ne ishim rikthyer në Shqipëri, ishte dëshirë shumë e madhe e imja dhe e bashkëshortit tim. Vërtet po jetonim ditët më të bukura sepse po bëheshin tre vite këtu, ndërsa erdhi edhe djali në jetë. Por ndonjëherë nuk dalim dot para Zotit! Pas dhimbjes kam kuptuar që ekziston vetëm e sotmja. Lindjen dhe vdekjen nuk e ka në dorë njeriu, kemi në dorë vetëm të vazhdojmë të jetojmë”.
Në korrik të vitit të kaluar, një aksident automobilistik në orët e para të mëngjesit i mori jetën bashkëshortit të saj. “Sipas ekspertizës, ngjarja ndodhi pa përfshirjen e palëve të treta, si pasojë e një përgjumjeje të momentit ose rënieje të imunitetit.”
Humbja e bashkëshortit, që për Ejonën ishte krahu i djathtë dhe mbështetësi më i madh, la një boshllëk veçanërisht për djalin e tyre, Rein, i cili në atë kohë nuk i kishte mbushur ende dy vjeç. “Djali e ndjente që babai i tij nuk ishte aty, sepse ne qëndronim 24 orë bashkë meqë punonim online. Shkonte te karrigia e tij dhe vendoste kokën, bënte gjeste që më preknin shumë. Ndihem keq që ai nuk do ta mbajë mend babanë e tij.”
Përballja me humbjen e solli Ejonën në një pikë ku duhej të rindërtonte gjithçka nga e para. Me mbështetjen e familjarëve dhe komunitetit të ndjekësve që e rrethonin me dashuri, ajo mori vendimin për të mos u dorëzuar.
“Nga ai moment kur ngela në zero në gjithçka, me ndihmën e ndjekësve dola nga ajo errësirë. Aty thashë që do të çohem të punoj vetë. Fakti që ti ecën përpara nuk do të thotë se dhimbja harrohet. Ti duhet të bësh pakt që do të jetosh me këtë dhimbje, por pa ngecur. Ndonjëherë duket sikur koha ka kaluar shumë shpejt, ndonjëherë duket sikur ka ndodhur dje. Vetëm kush e përjeton, e kupton.”
Punën në YouTube, Ejona po e vazhdon edhe si një amanet të lënë nga i shoqi, i cili ëndërronte që ajo të arrinte shifrën e 100 mijë ndjekësve dhe të vazhdonte promovimin e bukurive të Shqipërisë.
Sot, ndikimin dhe famën në rrjetet sociale ajo po i shfrytëzon për t’u ardhur në ndihmë familjeve në nevojë, duke grumbulluar ushqime dhe veshje. “Dua të jap një mesazh: të bëjmë diçka të vogël, por me dashuri shumë të madhe për këta njerëz. Kemi influencë, por në fund të ditës duhet të mbetemi njerëz. Kur ndjekësit më thonë ‘na frymëzon’, ndjej se kam një mision që pavarësisht dhimbjes, t’i ndihmoj të tjerët të ngrihen.”
Përmes këtij rrëfimi, Ejona përcjell një mesazh për të gjithë ata që kalojnë sprova të vështira: “Çfarëdolloj dhimbje të jeni duke kaluar, mos harroni ta përqafoni fort veten dhe të vazhdoni përpara. Mos e lëshoni veten, sepse vetëm vetja të shpëton në këto situata.”
Tashmë programet e radios mund t’i ndiqni përmes aplikacionit RTSH TANI, dhe nëse humbisni njërin syresh mund të riktheni deri në një javë më pas.