“El Niño” lulëzon shkretëtirën e Atakamës/ Xhakollari: Sjell anomali të stinëve, ja dimri që na pret

“El Niño” lulëzon shkretëtirën e Atakamës/ Xhakollari: Sjell anomali të stinëve, ja dimri që na pret

Një fenomen i rrallë natyror ka transformuar shkretëtirën e Atakamës në Kilin verior, duke e lulëzuar të gjithin.

Reshjet e dendura të shkaktuara nga fenomeni “El Niño” (El Ninjo) kanë zgjuar miliona fara që qëndronin të fjetura nën tokë prej vitesh, duke mbuluar me lule shkretëtirën, duke krijuar atë që njihet si “shkretëtira që lulëzon”.

Por si ndodh ky fenomen dhe a ka ndikim në kontinentin tonë? Meteorologia Rezarta Xhakollari, në një intervistë për emisionin “Në Radio” të Andri Xhahut në Radio Tirana, shpjegoi se “El Niño” nuk është një dukuri e re, por një mekanizëm i hershëm planetar. “’El Niño’ është një fenomen natyror që ekziston që kur është krijuar planeti. Ngrohja anormale dhe e zgjatur e ujërave sipërfaqësorë në Oqeanin Paqësor vepron si një nxitës kryesor i klimës globale dhe është i aftë të ndryshojë qarkullimin atmosferik përtej rajonit të origjinës”.
Ekspertja thekson se megjithëse ndikimi i tij i drejtpërdrejtë ndihet në rajonet tropikale dhe në Amerikë, pasojat shtrihen në të gjithë rruzullin. Sipas saj, “këto fenomene kanë ndodhur edhe para 200 vjetësh, por nuk ka pasur informacion dhe këtë teknologji që kemi sot”, duke shtuar se çelja e luleve në shkretëtirën e Kilit është një ngjarje e rrallë, por plotësisht e shpjegueshme shkencërisht.

Xhakollari shpjegon se “El Niño”, si një fazë e ngrohtë që përsëritet mesatarisht çdo 2 deri në 7 vjet, përcakton indirekt edhe kushtet e motit në kontinentin europian. Për periudhën e vjeshtës dhe të dimrit, parashikimet afatgjata flasin për temperatura më të larta se mesatarja historike. “Pritet që në Shqipëri të kemi një vjeshtë dhe dimër të ngrohtë, me temperatura të larta, me reshje të bollshme, edhe pse ky është një parashikim afatgjatë që ka marzh gabimi të lartë”.

Ekspertja nënvizon se kjo valë e ngrohtë do të vazhdojë të qarkullojë deri në fillim të vitit të ardhshëm. Edhe pse java e parë e tetorit mund të sjellë reshje shiu, temperaturat do të mbeten të larta. Deri në janar, në të gjithë Europën pritet një mot pa vlera minimale ekstreme, ku ditët me temperatura negative do të jenë mjaft të pakta.

Duke iu referuar verës që lamë pas, meteorologia vuri në dukje se megjithëse vendi ynë preku vetëm periferinë e të nxehtit afrikan me pak ditë mbi 42°C, Europa Perëndimore u godit më ashpër nga valë të njëpasnjëshme të nxehti. Sot, kufiri mes stinëve tipike është zbehur ndjeshëm, duke sjellë luhatje të menjëhershme të temperaturave dhe ngjarje ekstreme meteorologjike. “Ngrohja globale sjell ndryshime të stinëve tipike të një vere të nxehtë dhe dimri të ftohtë. Por kemi herë pas herë ndryshime të shpeshta, ku pas një dite të nxehtë vjen një stuhi e madhe. Do kemi fenomene ekstreme, bie borë dhe më pas temperatura të larta. Siç do të ndodhë nesër (e premte), një front i ftohtë do të vijë në vendin tonë dhe fundjava do të sjellë sërish mot të qëndrueshëm. Ndjehet një anomali e stinës”.

Xhakollari paralajmëron se rritja e vazhdueshme e temperaturave në Europë do të detyrojë një transformim rrënjësor të mënyrës së jetesës. Ashtu si në fillesat e qytetërimit, thotë ajo, njerëzit do të priren të lëvizin drejt rajoneve me burime ujore dhe klimë më të favorshme, pasi thatësira e zgjatur dhe nxehtësia e bëjnë jetesën të papërballueshme.
Megjithë sfidat globale, Shqipëria gëzon një pozicion të mirë gjeografik Megjithatë, një dimër i butë dhe me mungesë të reshjeve të borës mund të cenojë mbushjen e natyrshme të baseneve ujore, pasi bora është burimi kryesor që garanton rrjedhje të qëndrueshme ujore për hidrocentralet gjatë vitit.
Për të minimizuar pasojat, meteorologia thekson nevojën e ngutshme për hapa konkretë administrativë dhe mjedisorë. “Duhet të jemi të kujdesshëm që të kemi pastruar basenet e lumenjve dhe liqeneve para se të fillojnë shirat që të kemi rezerva. Në fundin e verës merren masa, duhen pastruar basenet e lumenjve sepse mbushen me inerte, në mënyrë që uji të shkojë tek ujëmbledhësit e duhur. Dhe të mbjellim pemë e të kontribuojmë të gjithë për të ndihmuar planetin”.

 

Tashmë programet e radios mund ti ndiqni përmes aplikacionit RTSH TANI dhe nëse humbisni njërin syresh mund të riktheheni deri në një javë më pas.

Radio Tirana 1LIVE