Gaqo Çako – zëri i një epoke.

Sonte, në orën 20:00, në Radio Tirana Klasik, Santana Xheladini sjell profilin biografiko-artistik të Gaqo Çakos, një nga figurat më të rëndësishme të artit vokal shqiptar.
Rrugëtimi i tij artistik lidhet ngushtë me zhvillimin e kulturës muzikore shqiptare të shekullit XX. Me një zë të fuqishëm, të pasur në ngjyrime dhe me një mënyrë interpretimi të mbështetur në kulturën vokale dhe skenike, Gaqo Çako u bë një nga tenorët më të njohur dhe më të vlerësuar të skenës shqiptare.
Nga formimi muzikor dhe hapat e parë në skenë, te karriera operistike dhe repertori koncertal, profili i tij artistik ndërtohet përmes një veprimtarie të gjerë, të lidhur me zhvillimin e operës dhe artit vokal në Shqipëri. Interpretimet e tij në role të ndryshme operistike dhe në repertorin koncertal dëshmojnë një individualitet të spikatur dhe një kulturë të veçantë skenike.
Në këtë profil muzikologjik, Santana Xheladini ndalet te momentet kryesore të jetës dhe karrierës së Gaqo Çakos, te formimi i tij, veçoritë e vokalit, interpretimi, repertori dhe kontributi i tij në historinë e muzikës shqiptare.
Një portret i një artisti, por edhe i një periudhe të rëndësishme të skenës muzikore shqiptare.
Gaqo Çako – sonte, ora 20:00, në Radio Tirana Klasik.
Tashmë programet e radios mund t’i ndiqni përmes aplikacionit RTSH TANI, dhe nëse humbisni njërin syresh mund të riktheheni deri në një javë më pas.