Incidenti me avionin Dubai-Tel Aviv, shqiptarja zbulon detaje: Një grua dëgjoi zhurma në kabinë dhe…

Incidenti me avionin Dubai-Tel Aviv, shqiptarja zbulon detaje: Një grua dëgjoi zhurma në kabinë dhe…

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e së mërkurës në bordin e një avioni të kompanisë “FlyDubai”, i cili udhëtonte nga Dubai drejt Tel Avivit. Gjatë fluturimit, ndihmëspiloti ka sulmuar me thikë kapitenin brenda kabinës së pilotimit.

​Detaje tronditëse nga kjo ngjarje janë rrëfyer nga aktivistja shqiptare që jeton në Izrael, Ita Gani (Jeta Gani), gjatë një interviste për emisionin “Në Radio” të gazetarit Andri Xhahu.

​Gani tregoi se alarmi i parë në Izrael u dha si një rrëmbim i mundshëm avioni, por më pas u zbardh e vërteta e përleshjes në kabinë. “Ishtë një mëngjes i vështirë ai dje. Ajo çfarë tregoi një udhëtar është se një grua me vajzën e saj që ndodhej në tualet, dëgjoi zhurmat e para që vinin nga kabina e pilotëve. Doli me vrap dhe u thotë pasagjerëve që diçka po ndodh.”

​Aktivistja përshkroi momentin dramatik kur kapiteni i gjakosur hapi derën e kabinës, veprim që ajo e cilëson si pikën kyçe që parandaloi katastrofën. ​“Sipas dëshmive, piloti i plagosur hapi derën e kabinës dhe mendoj që është momenti kryesor dhe i suksesshëm për këtë tragjedi, sepse nëse nuk do të arrinte të hapte derën, askush nuk do ta kishte kuptuar se çfarë po ndodhte brenda.”

​Në ato momente kritike, kur avioni po humbiste lartësinë dhe lëkundej pa kontroll, një pasagjer izraelit mori përsipër rrezikun për të hyrë në kabinë. Ai u përball me agresorin e armatosur, ia hoqi thikën nga dora dhe kërkoi ndihmë për ta neutralizuar atë. ​Duke mos pasur asnjë përvojë në pilotim, pasagjeri veproi nën instinktin e mbijetesës për të parandaluar përplasjen e mjetit. ​“Ai tha se tërhoqi një kabllo dhe avioni u stabilizua. Thirri për ndihmë stafin dhe pilotët britanikë që ndodheshin në mesin e pasagjerëve, të cilët morën avionin në kontroll.”

​Sipas Ganit, pas marrjes së kontrollit të kabinës, agresori u prangos, ndërsa një mjek në bord i dha ndihmën e parë kapitenit të plagosur rëndë. Sipas mjekëve, ndërhyrja e shpejtë për të ndaluar hemorragjinë i shpëtoi jetën pilotit heroik deri në momentin e uljes në Arabinë Saudite.

​Pas kthimit të pasagjerëve në Tel Aviv po atë mbrëmje, heroi që shpëtoi 180 jetë u prit nga kryeministri Benjamin Netanjahu, ndërsa ngjarja u dënua ashpër ndërkombëtarisht, përfshirë presidentin Donald Tramp, si një akt i mirëfilltë me prapavijë terroriste. “Siç ndodhi në Izrael më 7 tetor 2023 apo më 11 shtator 2011 me sulmin terrorist në Amerikë. Këtë incident e lidhin me këto ngjarje se janë veprime si të grupeve terroriste. Jo çdo njeri mund të kryejë veprime të tilla”, tha Gani.

​Përjetimi la pas trauma të mëdha te të gjithë pasagjerët në bord, ndërsa Ita Gani e mbylli rrëfimin e saj mes lotëve. ​“Ishte një mrekulli e vërtetë që na gëzoi kur pamë ata njerëz të tronditur që me lot gëzimi u kthyen në Izrael. Sepse kjo mund t’i ndodhë çdo njeriu. Terroristët nuk kanë adresë.”

 

Tashmë programet e radios mund t’i ndiqni përmes aplikacionit RTSH TANI, dhe nëse humbisni njërin syresh mund të riktheheni deri në një javë më pas.

Radio Tirana 1LIVE