Kapet një sinjal radioje nga një planet 63 vite-dritë larg Tokës, habit astrofizikani: Mund të marrim një përgjigje nga jashtëtokësorët

Kapet një sinjal radioje nga një planet 63 vite-dritë larg Tokës, habit astrofizikani: Mund të marrim një përgjigje nga jashtëtokësorët

Astronomia ka shënuar një tjetër arritje. Shkencëtarët kanë zbuluar, për herë të parë, një emetim radio nga një planet jashtë sistemit tonë diellor. Zbulimi lidhet me sinjale radioje të përsëritura që vijnë nga ekzoplaneti Beta Pictoris b, rreth 63 vite-dritë larg Tokës, një distancë që, siç shprehet astrofizikani Enkelejd Çaça për emisionin “Në Radio” të Andri Xhahut në Radio Tirana, në terma astronomikë konsiderohet si në “lagjen ngjitur”, ndërsa në terma njerëzorë mbetet jashtëzakonisht e largët.

Ndonëse kapja e këtyre burimeve përbën një sfidë të madhe për shkak të distancave marramendëse në hapësirë, sinjalet radio janë ndër burimet më të mëdha të informacionit për të gjithë Universin.

Sistemi Beta Pictoris b është ndër më të studiuarit pikërisht për shkak të afërsisë së tij. Sipas astrofizikanit, ky planet ka një fushë magnetike qindra herë më të madhe se ajo e Jupiterit, pasi intensiteti i rrezatimeve radio dhe pulsimeve që vijnë nga ky sistem është jashtëzakonisht i fuqishëm.

Lëvizja e grimcave të ngarkuara brenda magnetosferës bën që një pjesë e mirë e këtyre planetëve të kthehen në antena emetuese ose rrezatuese të valëve radio, duke dëshmuar se “kemi të bëjmë me një fenomen të pastër natyror që njohim shumë mirë, pasi Universi është i mbushur me burime valësh radio.”

Sipas Çaçës, sinjali i kapur sot është lëshuar afërsisht 63.4 vite më parë, në qershorin e vitit 1963. Për krahasim, astrofizikani sjell shembullin e sondës Voyager 1. “Brenda nëntorit, ky objekt që është i pari i prodhuar nga njerëzit, do të jetë 1 ditë-dritë larg nesh. Do të thotë që sinjali që ne çojmë ose që sonda na e dërgon ne, kërkon 24 orë që të shkojë dhe 24 orë që të kthehet përgjigjja.”

Për komunitetin shkencor, ky zbulim mbart një rëndësi thelbësore. Ai konfirmon se Universi funksionon me të njëjtat ligje fizike si në Tokë. “Dukuritë mund të ndryshojnë në madhësi, por jo në thelb. Në këtë rast jemi në gjendje të vërtetojmë se ligjet e fizikës që ne përdorim në Tokë janë të njëjtat, që bëjnë të mundur prodhimin e këtyre sinjaleve dhe funksionimin e sistemit.”

Sot, teknologjia i lejon shkencëtarët të vëzhgojnë ndërtimin e një sistemi planetar që ndodhet dhjetëra vite-dritë larg, një arritje që do të ishte krejtësisht e pamundur rreth 50 vite më parë. Megjithatë, siç vë në dukje Çaça, “sado të fuqishëm të jemi ne, natyra prodhon sinjale shumë më të fuqishme”, dhe përqindja e informacionit që zotërojmë mbetet shumë e vogël krahasuar me përmasat e pafundme të Universit.
Përtej kuriozitetit shkencor, vrojtimet astronomike shërbejnë edhe për një qëllim mbrojtës: skanimin e Universit për të identifikuar kometa ose asteroide të panjohura që mund të përbëjnë rrezik zhdukjeje për Tokën nëse do të godisnin planetin tonë.
Nga ana tjetër, zbulime të tilla risjellin në vëmendje misteret e vjetra, si sinjalet enigmatike “Wow” të vitit 1978, të cilat nuk janë përsëritur më dhe, me gjithë modulimin e tyre, konsiderohen me burim natyror.
Pyetjes se pavarësisht përparimeve në shkencën e astrofizikës, a mund të kemi një përgjigje nëse ka jetë jashtë Tokës, eksperti shprehet: “Ne mund të kërkojmë në valët radio civilizime të një niveli zhvillimor sa i yni. Ne jemi në periudhën kur mund të presim përgjigjen e parë sepse sinjalet e vërteta orientuar drejt yjeve, që supozonim se mund të ketë jetë, mund të kenë kapur sinjalet tona dhe të na i kthejnë. Kemi kapur sferën me rreze 26 vite dritë, që domethënë sinjalet e lëshuara para 52 vitesh, tani ne mund të marrim një përgjigje por ende nuk kemi asgjë deri më sot.”

 

Tashmë programet e radios mund t’i ndiqni përmes aplikacionit RTSH TANI, dhe nëse humbisni njërin syresh mund të riktheheni deri në një javë më pas.

Radio Tirana 1LIVE