“Klubi 5” – Statusi i artistit, Tenori Armando Likaj: Duhet të garantojë mbrojtjen e artistëve gjatë gjithë karrierës

“Klubi 5” – Statusi i artistit, Tenori Armando Likaj: Duhet të garantojë mbrojtjen e artistëve gjatë gjithë karrierës

Përfaqësues të komunitetit artistik kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me projektligjin për statusin e artistit, duke kërkuar që ai të garantojë jo vetëm trajtimin pas përfundimit të karrierës, por edhe mbrojtjen e të drejtave profesionale gjatë gjithë jetës aktive të artistëve.

I ftuar në emisionin “Klubi 5” në Radio Tirana, tenori i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Armando Likaj, u shpreh se një nga problemet kryesore të draftit aktual është mungesa e qartësisë mbi mënyrën e zbatimit dhe mbi garancitë konkrete që ai ofron për artistët.

Sipas Likajt, gjatë konsultimeve publike me Ministrinë e Kulturës dhe Inovacionit janë ngritur një sërë çështjesh që, sipas artistëve, nuk janë trajtuar mjaftueshëm në draft. Ai theksoi se komuniteti artistik ka kërkuar përfshirjen e specialistëve dhe përfaqësuesve të sindikatave për të adresuar aspektet profesionale, ligjore dhe sociale që lidhen me ushtrimin e profesionit të artistit.

“Statusi i artistit nuk duhet të lidhet vetëm me pensionin. Ai duhet të përfshijë të gjithë jetën profesionale të artistit, duke nisur nga kushtet e punës, pagesa, sigurimet shoqërore, trajnimet dhe mbështetjen pas përfundimit të karrierës artistike”, u shpreh Likaj.

Ai nënvizoi se dinjiteti i artistit duhet të jetë në qendër të çdo reforme ligjore, duke argumentuar se profesioni artistik kërkon trajtim të veçantë për shkak të specifikave që e karakterizojnë. Sipas tij, investimi që shteti bën për formimin e një balerini, muzikanti apo këngëtari duhet të shoqërohet me politika mbështetëse gjatë gjithë karrierës dhe pas saj.

Likaj theksoi gjithashtu se artistët përballen me rreziqe profesionale, probleme shëndetësore dhe sfida të tjera që duhet të parashikohen në kuadrin ligjor. Për këtë arsye, komuniteti artistik kërkon një status që të garantojë mbrojtje sociale dhe profesionale më të plotë.

Gjatë intervistës, ai bëri të ditur se përfaqësues të artistëve do të vijojnë dialogun me institucionet përgjegjëse për të paraqitur propozimet e tyre, me synimin që projektligji të reflektojë më mirë nevojat dhe realitetin e sektorit artistik në Shqipëri.

Komuniteti artistik e konsideron miratimin e statusit të artistit një hap të rëndësishëm për njohjen dhe mbrojtjen e kontributit të tyre në jetën kulturore të vendit.

 

Tashmë programet e radios mund t’i ndiqni përmes aplikacionit RTSH TANI, dhe nëse humbisni njërin syresh mund të riktheheni deri në një javë më pas.

Radio Tirana 1LIVE