“Konsolidojmë identitetin, ruajmë balancën”, Radio Tirana me ritëm më dinamik, kryeredaktorja Stafa zbulon risitë e sezonit të ri

Radio Televizioni Shqiptar nis sezonin e ri radioteleviziv me një sërë risish në programacion. Identiteti i ri synon të bashkojë eksperiencën e gjatë të institucionit me një qasje më moderne. Lidhur me paketën programore radiofonike për sezonin 2026-2027 e ftuar në emisionin e mëngjesit në radio, “Klubi 5”, kryeredaktorja e Radio Tiranës znj. Ermenita Stafa Njuma nënvizon se struktura e re programore shkon për të konsoliduar identitetin e radios, duke segmentuar fashat orare dhe kategorizuar ato sipas audiencave në dëgjim, duke ruajtur balancën në edukim, argëtim dhe informim.
“Do të vijojmë t’i dedikohemi kulturës, t’i dedikohemi arsimit, t’i dedikohemi problemeve sociale, t’i dedikohemi problemeve ekonomike, t’i dedikohemi informacionit. Do të ketë më shumë programe interaktive, komunikim të drejtpërdrejt me dëgjuesin dhe një përmbajtje e dedikuar edhe për brezin digjital, për të rinjtë, për personat me aftësi ndryshe, për tema sociale, për më shumë kulturë e informacion dhe pasurim i ofertës programore duke ndaluar tek muzikë e mirë”, zbuloi kryeredaktorja Stafa.
Ajo uroi për një sezon të mbarë dhe sa më pranë publikut. “Sezon të mbarë gjithmonë e më shumë pranë dëgjuesit, për të sjellë një produkt sa më të mirë radiofonik”, tha Stafa.