“Më kërkuan ndihmë”/ Gazetarja Kepi për revoltën në burgun e Pizës: Shqiptarët hynë ‘live’ në TikTok

“Më kërkuan ndihmë”/ Gazetarja Kepi për revoltën në burgun e Pizës: Shqiptarët hynë ‘live’ në TikTok

Një revoltë e dhunshme që shpërtheu më 1 tetor në burgun “Don Bosko” në Piza të Italisë ka përfunduar me vënien nën akuzë të katër të burgosurve si organizatorë kryesorë të saj. Mes personave të marrë të pandehur janë tre shtetas shqiptarë dhe një kolumbian: Ilber Arshi (39 vjeç), Jerson German Bolanos (39 vjeç), Daniel Myrtaj (24 vjeç) dhe Andrea Petroniq (43 vjeç). Ngjarja mori përmasa edhe sepse një pjesë nga trazirat u transmetuan drejtpërdrejt në rrjetin social TikTok.

Lidhur me prapaskenat e kësaj ngjarjeje, gazetarja shqiptare në Itali, Alba Kepi, dha një dëshmi të detajuar në një intervistë për emisionin “Në Radio” të Andri Xhahut në Radio Tirana.

Gazetarja Kepi tregoi se ditën e enjte në mëngjes, në telefonin e saj mbërriti një video dhe një mesazh nga sekretari i Policisë Penitenciare, i cili e informoi se disa shqiptarë po merrnin pjesë në revoltën që po vijonte prej orësh. Sipas Kepit, Policia e Burgjeve kërkoi ndihmën e saj për të kuptuar se çfarë po thuhej në video-telefonatën e shpërndarë “live” në TikTok, ku një i dënuar shqiptar po fliste me një familjar të tij jashtë burgut. Në atë bisedë, ai shprehte alarm mbi sigurinë e jetës, ishte i frikësuar nga situata e komplikuar dhe kërkonte që të njoftoheshin mediat se gjendja kishte dalë tërësisht nga kontrolli.

Pamjet e xhiruara nga brenda qelisë tregonin një situatë mjaft kaotike dhe të dhunshme. “Në video shihen disa të burgosur që kanë thyer karrige e tavolina dhe me këmbët e tyre përpiqen të hapin dyert e qelive”, tha Alba Kepi, duke përshkruar pamjet ku dalloheshin edhe dyshekë e krevate të përmbysura. Gazetarja shtoi se i dënuari shqiptar e drejtonte telefonin nga dritarja e qelisë për të treguar se ndërtesa ishte e rrethuar nga policia e cila nuk po mundte dot të hynte brenda. I afërmi në telefon e udhëzoi ta shpërndante videon dhe të kërkonte ndihmën e gazetarëve për shkak të shkallës së lartë të dhunës, por komunikimi zgjati vetëm pak minuta pasi telefoni ishte me vetëm 10% bateri.

Përpjekjet e të dënuarve për të marrë nën kontroll Seksionin 2 të burgut të Pizës, ku ndodheshin rreth 6 shqiptarë, zgjatën për orë të tëra. U desh ndërmjetësim i vazhdueshëm mes të burgosurve dhe forcave të rendit që situata të kthehej përfundimisht nën kontroll.

Sipas Kepit, kjo revoltë sinjalizoi edhe një herë atë që sistemi penitenciar italian po e denoncon prej kohësh: “Pasiguria e jetës brenda strukturave, mbipopullimin e burgjeve si dhe mungesën e personelit të policisë në raport me numrin e të dënuarve.”

Përveç kushteve në burgje, ngjarja solli në vëmendje edhe fenomenin e futjes ilegale të aparateve celulare. “Kjo ka bërë që situata të jetë kundër shqiptarit, i cili në një farë mënyre bëri një shërbim duke kërkuar ndihmë për të garantuar sigurinë e jetës së tij dhe të të burgosurve të tjerë. Por nga ana tjetër ai sot është një nga personat e akuzuar për mbajtjen e telefonit celular që është e ndaluar brenda burgjeve.”

Pas shuarjes së revoltës, autoritetet italiane identifikuan gjithsej 16 persona si pjesëmarrës në trazira, por akuza e drejtpërdrejtë për organizimin e dhunës rëndon mbi katër të pandehurit kryesorë. “Sot kemi transferimin në burgun e Toskanës të katër personave, mes tyre 3 shqiptarë dhe një shtetas kolumbian,” u shpreh Alba Kepi, duke sqaruar se zhvendosja e tyre u bë për arsye sigurie. Përveç akuzave penale që rëndojnë mbi ta, autoritetet kanë bërë me dije se të gjitha dëmet materiale të shkaktuara gjatë asaj nate do të duhet të paguhen nga vetë personat që ndodhen nën hetim për këtë revoltë.”

 

Tashmë programet e radios mund t’i ndiqni përmes aplikacionit RTSH TANI, dhe nëse humbisni njërin syresh mund të riktheheni deri në një javë më pas.

Radio Tirana 1LIVE