Motër e vëlla humbën jetën nga shpërthimi në Athinë/ Gazetarja zbulon detaje: Njëra nga gratë shtatzënë. Familjarët kanë dhënë mostrat për analizat e ADN-së

Motër e vëlla humbën jetën nga shpërthimi në Athinë/ Gazetarja zbulon detaje: Njëra nga gratë shtatzënë. Familjarët kanë dhënë mostrat për analizat e ADN-së

Një ngjarje e rëndë ka tronditur kryeqytetin grek, ku shembja e një godinë në lagjen historike Plaka si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm ka lënë pas gjashtë viktima, mes të cilëve tre me kombësi shqiptare.

Lidhur me rrethanat e kësaj ngjarjeje, gazetarja shqiptare në Athinë, Nilda Baxha, ndau detaje në një intervistë për emisionin “Në Radio” të Andri Xhahut në Radio Tirana.
Ajo shpjegoi se tragjedia ndodhi të premten e 25 shtatorit, pak para orës 08:00 të mëngjesit, fare pranë zonës së Akropolit. “Pati një shpërthim të fuqishëm, një flakë e madhe siç thanë dëshmitarët, dhe menjëherë godina u thërrmua, u shemb. Njerëzit në mënyrë instinktive përpiqeshin të largoheshin nga hyrjet e godinave dhe hoteleve.”

Sipas gazetares, sinjalizimi i parë për mungesën e personave erdhi pasi katër pushuesit nuk u paraqitën në aeroport në orën 15:00 për të marrë fluturimin e kthimit drejt Nju-Jorkut. Ky fakt ngriti menjëherë dyshimet te miqtë e tyre, të cilët nisën kërkimet përmes telefonatave për të mësuar mbi fatin e të afërmve nën gërmadha.

Shpërthimi dyshohet se ka ndodhur në katin e dytë të ndërtesës, ku jetonte çifti grek i të moshuarve, 77-vjeçarja Athena Papaprescu dhe 78-vjeçari Edmond Hings. Ndërkohë, katër të rinjtë kishin marrë me qira ambientin përmes platformës AirBnB.

“Bëhet fjalë për zonjën Florida Hoxha dhe vëllain e saj Florin Hoxha. Florida ishte e martuar dhe kishte shkuar për të festuar muajin e mjaltit me bashkëshortin e saj Ian Kirpatrick, shtetas amerikan. Ndërsa Florini ishte me bashkëshorten Eris Cani, e cila ishte 3 muajshe shtatzënë në pritje të një vajze të vogël”.

Për këtë arsye, “media greke flet për shtatë viktima, jo për gjashtë, sepse e konsiderojnë një jetë edhe foshnjën që ndërroi jetë në trupin e nënës”, theksoi Nilda Baxha gjatë intervistës.
Ndërkohë, familjarët e viktimave kanë mbërritur tashmë në kryeqytetin grek. “Ata kanë kërkuar të vizitojnë vendin ku ka ndodhur tragjedia. Akoma janë të shokuar dhe ende nuk e besojnë që dy çifte kanë humbur jetën brenda pak minutave. Kanë dhënë mostrat për analizën e ADN-së për të identifikuar viktimat sipas protokollit”.

Sa i përket shkaqeve të mundshme, hetimet paraprake flasin për një rrjedhje gazi natyror në katin e dytë, ku çifti i të moshuarve e përdorte atë për ngrohje dhe gatim. Sipas Baxhës është ende e vështirë të shpjegohet se si një shpërthim gazi mund të shkaktonte shembjen e plotë të strukturës. “Pronari i banesës ka konfirmuar se nuk ishin kryer punime që mund të dëmtonin qëndrueshmërinë e godinës, por pranoi se bëhet fjalë për ndërtesa mjaft të vjetra, me një moshë mesatare rreth 100-vjeçare”.

Tragjedia ka hapur një debat të madh mbi sigurinë e ndërtesave në lagjen Plaka. Gazetarja tregon se banorët kishin paralajmëruar më parë për rreziqet në zonë. “Kjo lagje ka godina shumë të vjetra që paraqesin një problematikë që duhet marrë shumë seriozisht. Ndërtesat janë të vjetra dhe kërkojnë restaurim. Është publikuar se para një viti banorët kanë paralajmëruar për rrezikun, dhe sot shtrohet pyetja nëse është bërë një kontroll cilësor për rrjedhjen e gazit.”

Ngjarja pritet të sjellë ndryshime në politikat e mirëmbajtjes së ndërtesave me status të mbrojtur historik. Baxha nënvizoi se lagjja Plaka është një ansambël i veçantë arkitekturor me shtëpi mbi 170-vjeçare, të cilat mbrohen nga shteti dhe ndërhyrjet në to kërkojnë dekrete të posaçme. Ajo përfundoi se pas kësaj tragjedie, shteti grek duhet të hartojë me urgjencë një plan të plotë për kontrollin dhe restaurimin e këtyre strukturave historike.

 

Tashmë programet e radios mund t’i ndiqni përmes aplikacionit RTSH TANI, dhe nëse humbisni njërin syresh mund të riktheheni deri në një javë më pas.

Radio Tirana 1LIVE