Nga Lezha në arenat botërore/ Historia e DJ që gjeti suksesin dhe dashurinë e jetës në skenë

Në një intervistë ekskluzive për emisionin “Në Radio” të Andri Xhahut, DJ dhe producenti i muzikës elektronike Edmond Bardhaj, i njohur tashmë me emrin artistik Pllanor, ka rrëfyer rrugëtimin e tij jetësor dhe artistik.
I vendosur në Bergen të Norvegjisë, Pllanor njihet për ndërthurjen e veçantë të zhanreve si deep house, dub techno, minimal grooves dhe atmospheric electronica. Si producent, ai ka ndërtuar gradualisht një katalog të pasur publikimesh dhe remiksesh. Diskografia e tij përfshin bashkëpunime me emra të njohur si Simon Field në këngët “Gone Gone Gone”, projekti “Panda”, si dhe remiksi “Pop le Champagne” të pionierëve norvegjezë Ralph Myerz dhe Bård.
Përmes produksioneve dhe performancave të tij, ai vazhdon të afirmohet si një emër në rritje në skenën underground nordike.
Pasi ka performuar për një kohë të gjatë me emra të ndryshëm (së fundi si Alias), artisti ka vendosur të bëjë një kthesë rrënjësore në identitetin e tij muzikor.
“Erdhi koha të punoja vetëm, dhe tani gjithçka e bëj vetëm. Mendova një emër të ri që përfaqëson vendin se ku kam lindur dhe ku jetoj. Pllanë është vendlindja ime afër Lezhës dhe Norvegjia është vendi ku unë jetoj tani,” u shpreh artisti.
Rrugëtimi i tij jashtë Shqipërisë nisi në moshë të re. Në vitin 1994, kur ishte vetëm 13 vjeç, ai u zhvendos në Athinë te i ati, i cili kishte emigruar që prej vitit 1991. Pllanor kujton se fillimi ishte i vështirë për shkak të pengesës gjuhësore, por përshtatja erdhi shpejt. Po në kryeqytetin grek lindi edhe shkëndija e parë për muzikën elektronike. “Mbaj mend kur kam qenë për herë të parë në koncertin e The Prodigy. Aty lindi dëshira për muzikën. Në vitin 1998 punoja si barist në një ishull ku shkonin të pasurit e Greqisë. Kur DJ lodhej, dikur nga ora 4 e mëngjesit, më thoshte: ‘Eja luaj pak’. Luaja dy orë në mëngjes gjatë gjithë verës. Atëherë mendova të merresha më seriozisht,” tregoi ai.
Pas përvojave të para, Edmondi konsolidoi pozicionin e tij si DJ rezident për dy vite në një nga klubet më të mëdha të Kretës. Aty u njoh edhe me bashkëshorten e tij, Carina, e cila është gjithashtu një DJ mjaft e suksesshme.
“Punuam bashkë dy sezone në këtë ishull. Patëm sukses shumë të madh në vitin 2004,” tha ai, duke vlerësuar edhe arritjet e saj profesionale. “Ajo nuk luan shumë tani sepse kemi dy fëmijë, por ka stilin e saj. Ka dalë dy herë Top Scandinavian në mesin e dy mijë DJ-ve më të mirë të vitit 2008 dhe 2009. E mbështesim njëri-tjetrin. Është e çuditshme që nuk kemi xhelozi. Mund të luajmë të njëjtat këngë, por i luajmë ndryshe sepse secili ka karakterin e vet.”
Zgjedhja për t’u zhvendosur në Norvegji erdhi natyrshëm pas një vizite pushimesh. Bergeni, i njohur si një vatër e muzikës elektronike (vendi i artistëve si Kygo dhe Alan Walker), i ofroi mjedisin e duhur bashkëpunues.
Përveç përvojës në Norvegji, Pllanor u zhvendos më pas edhe në SHBA, ku studioi për produksion muzikor në Manhattan të Nju Jorkut.
Përgjatë karrierës së tij, Pllanor ka ndarë skenën dhe studion me emra me peshë të muzikës ndërkombëtare. Ai ka hapur koncertet e gjigantëve të skenës si Swedish House Mafia, Axwell dhe Benny Benassi.
Sa i përket punës në studio, ai veçon bashkëpunimin me Ralph Myerz, fitues i dy çmimeve “Norwegian Grammy”, (i cili ka punuar me emra si Snoop Dogg e Diana Ross), si dhe bashkëpunimet e fundit me Simon Field. “Ralph Myerz-in e njihja nga muzika e tij dhe u bëmë shokë pas një kohe. Ai më ndihmoi. Të punoja me të ishte një respekt i madh për mua,” tha DJ-i.
I pyetur për ndikimin e motiveve shqiptare në muzikën e tij elektronike, Pllanor tregoi se lidhja me traditën muzikore buron që nga fëmijëria. “Nga ana e mamit tim këndonin, e mbaj mend që i vogël. Më pëlqen muzika labe por edhe ajo e veriut të Shqipërisë. Jam i kënaqur që shoh shqiptarë që ecin përpara, muzikantë që punojnë bashkë dhe ndihmojnë njëri-tjetrin. Kemi muzikë shumë të bukur që mund ta përfshijmë edhe në muzikën elektronike, siç është edhe Shkodra Elektronike. Është bukur, pse të mos e bëjmë muzikën elektronike me folkun shqiptar?” përfundoi Pllanor.
Tashmë programet e radios mund t’i ndiqni përmes aplikacionit RTSH TANI, dhe nëse humbsini njërin syresh mund të ktheheni deri në një javë më pas.