“Paga 2 mijë euro, qiraja 2 500”, shqiptarja në Madrid rrëfen krizën e strehimit dhe historinë e gruas që tronditi Spanjën

“Paga 2 mijë euro, qiraja 2 500”, shqiptarja në Madrid rrëfen krizën e strehimit dhe historinë e gruas që tronditi Spanjën

Vdekja e 87-vjeçares Maricarmen Abascal, dy javë pasi u dëbua me forcë nga banesa ku kishte jetuar për më shumë se shtatë dekada, ka ndezur revoltë popullore në Spanjë. E moshuara u shndërrua në simbolin e ri të protestave ndaj krizës së thellë të strehimit.

Lidhur me këtë situatë të tensionuar, pianistja shqiptare Melisa Zaganjori, e cila jeton prej vitesh në kryeqytetin spanjoll dha një intervistë për emisionin “Në Radio” të Andri Xhahut në Radio Tirana, ku analizoi rrënjët e kësaj problematike dhe ndikimin social të ngjarjes.

Zaganjori sqaroi se kjo situatë nuk është e re, por e ka zanafillën që prej krizës financiare globale. “Kjo krizë lëngon që në vitin 2012. Qeveria e asaj kohe bëri shkurtime dhe cilësia e jetës së spanjollëve u përkeqësua. Kriza e strehimit është një plagë konstante në shoqërinë spanjolle”, u shpreh ajo.

Sipas pianistes, në Spanjë ka dy standarde çmimesh: qiratë e vjetra që nga koha e diktaturës dhe çmimet e sotme të tregut të lirë. “Maricarmeni jetonte në një shtëpi me qira me çmimin e kohës kur e kishin marrë prindërit e saj. Jetonte në një nga lagjet më të mira të Madridit me një qira simbolike. Në vitin 2005 i vdes e ëma që ishte qiramarrëse. Duke qenë se kishte jetuar aty që në moshën 17-vjeçare arriti një marrëveshje me pronarët që ajo të vazhdonte të jetonte atje.”

Por konfliktet lindën kur ndërtesa iu dha në pronësi një fondi investimesh. “Ata donin t’i rritnin çmimin e qirasë, por e moshuara nuk e pranonte sepse nuk kishte mundësi ta paguante”, tha Melisa.

Edhe pse shteti i ofroi të shkonte në azil pa pagesë pasi mbeti e vetmja banore në ndërtesë, gjykata rrëzoi kërkesën e saj për të jetuar aty deri në fund të jetës. “Me urdhër të gjykatës ajo u dëbua me forcë nga shtëpia. Unë kur pashë pamjet në televizor, u preka. Është e trishtë! Nuk është e drejtë se si një njeri që ka punuar gjithë jetën, në fund të ditës nuk ka një shtëpi të tijën dhe madje të të dëbojnë”, u shpreh Zaganjori, duke theksuar se vetëm në tetë vitet e fundit janë regjistruar rreth 217 mijë dëbime në të gjithë vendin.

Spanja vuan nga një mungesë e banesave sociale, ku sipas Zaganjorit ato përbëjnë vetëm 2-5% të totalit, kundrejt mesatares së Bashkimit Europian prej 9%. Pengesë kryesore mbeten procedurat burokratike dhe vonesat shumëvjeçare për marrjen e licencave të ndërtimit, ndonëse në Madrid së fundmi janë krijuar hapësira për ndërtime me kredi lehtësuese.

Pianistja solli në vëmendje hendekun e madh mes të ardhurave dhe çmimeve të banesave. “Paga mesatare në Madrid është rreth 2,000 euro në muaj, qiraja për një hyrje me dy dhoma arrin në 2,500 euro në qendër dhe 1,700 euro në periferi”. Ndërkohë, blerja e një banese kushton mbi gjysmë milioni euro, duke e bërë të pamundur zotërimin e një shtëpie për shtresën e mesme.

Në protestat masive po marrin pjesë qytetarë të shumtë dhe figura të njohura të artit, mes të cilëve edhe aktori i famshëm Javier Bardem. “Duket se situata do vazhdojë e tensionuar për një kohë të gjatë sepse më 11 nëntor është paralajmëruar një grevë pa afat”.

Si përgjigje, kryeministri Pedro Sanchez ka shpallur zgjedhje të parakohshme më 29 nëntor. Zaganjori vuri në dukje se opozita shfaqet e fortë në sondazhe dhe se Sanchez ka premtuar rritje pensionesh. Nga ana tjetër, “disa analistë politikë thonë që kjo situatë mund të jetë një manovër e qeverisë që të heqë vëmendjen nga ajo që ka ndodhur në Ceuta dhe keqmenaxhimi i asaj situate”, përfundoi Melisa Zaganjori.

 

Tashmë programet e radios mund t’i ndiqni përmes aplikacionit RTSH TANI, dhe nëse humbisni njërin syresh mund të riktheheni deri në një javë më pas.

Radio Tirana 1LIVE