Shqipëria brenda BE para anëtarësimit? Eksperti Gjipali “zbërthen” planin: Integrim gradual, çfarë do të thotë për bizneset dhe qytetarët

Bashkimi Europian po shqyrton një plan strategjik me rëndësi kyçe për vendet kandidate, i cili pritet të prezantohet më 6 tetor. Sipas propozimit, shtetet që synojnë anëtarësimin, ku Shqipëria veçohet nga Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, për përparimin e saj, mund të përfshihen në institucionet kryesore dhe të kenë komisionerë në Bruksel që përpara ratifikimit të plotë të traktatit të anëtarësimit.
Në një intervistë për emisionin “Në radio” të Andri Xhahut në Radio Tirana 1, eksperti i integrimit europian dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, Gledis Gjipali, analizoi përfitimet dhe sfidat e këtij modeli të ri të “integrimit gradual”.
Gjipali vlerësoi frymën e re që po reflektohet nga institucionet e BE-së, duke theksuar se është shumë pozitive që njihet ritmi i shpejtë i procesit të negociatave dhe ekziston vullneti politik për ta intensifikuar më tej atë.
“Përmes kësaj strategjie, vendet që synojnë anëtarësimin mund të përfshihen që përpara në proces dhe institucione, duke u bërë pjesë e vendimmarrjes dhe e tryezave më të rëndësishme siç është Komisioni Europian, si dhe duke fituar akses në programet dhe fondet e Bashkimit Europian”, shpjegoi Gjipali.
Ndonëse arkitektura ligjore e BE-së kërkon që vendet anëtare të bien dakord për çdo ndryshim përfundimtar, diskutimet jozyrtare tashmë kanë hedhur idetë e para konkrete, veçanërisht për përfshirjen e vendeve kandidate në tregun e brendshëm europian.
“Ky proces bëhet me faza dhe në bazë të standardeve europiane që vendi ka përthithur dhe zbaton, si standardet e sigurisë ushqimore, lëvizja e lirë e mallrave apo kapitali, fusha ku Shqipëria ka vite që punon por kërkon angazhim më të madh sepse nuk janë të lehta. Ky do të ishte një aspekt pozitiv sepse të bën gati më përpara dhe mund të përfitosh. Bizneset shqiptare që janë gati do të kenë një treg më të madh. Kjo është një thirrje për biznesin që të ndjekë këto zhvillime dhe të bëjë plane dhe investime duke pasur parasysh këtë akses në treg”, tha eksperti.
Për herë të parë në historinë e zgjerimit po propozohet që vendet kandidate të kenë përfaqësuesin e tyre në tryezën e Komisionit Europian. Edhe pse mbetet për t’u parë se si do të strukturohet plotësisht kjo prani, Gjipali nënvizoi rëndësinë e madhe politike dhe praktike të këtij hapi.
Sipas tij, duke qenë fizikisht në tryezën e Komisionit Europian, një vend kandidat mund të ndikojë drejtpërdrejt në legjislacionin europian, në marrëveshjet që BE-ja lidh dhe e ndjen veten pjesë organike të këtij organizmi. I pyetur mbi tagrin e këtij përfaqësuesi, eksperti u shpreh:
“Nuk besoj se komisioneri do të ketë të drejtë vote sepse kjo do të kërkonte ndryshime në traktate, por mjafton qenia pjesë e kësaj tryeze dhe mund të influencosh në vendimmarrje siç ndodh në BE, ku një grup shtetesh bashkohen në interesat e tyre dhe çojnë përpara interesat që përfitojnë qytetarët e tyre”, tha ai.
Sipas Gjipalit, anëtarësimi gradual të përgatit që në momentin e anëtarësimit zyrtar Shqipëria të mos ketë periudhën disa vjeçare të mësimit se si ndodh ndërveprimi në këto struktura të larta ose cila është rruga më e mirë për të krijuar aleanca dhe mbështetje.
Kjo kthesë në strategjinë e Brukselit nuk është rastësore. Ndryshimi ka ardhur kryesisht si pasojë e faktorëve gjeopolitikë dhe e çështjeve të sigurisë që janë rikthyer fuqishëm në tryezë. Këto zhvillime sollën një ndryshim në qasjen ndaj zgjerimit në Ballkanin Perëndimor, duke identifikuar problematikat e mbartura prej vitesh, që nga ngadalësia e procesit dhe mungesa e forcës tërheqëse, e deri te bllokimet bilaterale, “që e kishin çuar procesin pothuajse në koma për vende që negocionin prej më shumë se një dekade, si Mali i Zi dhe Serbia”.
Ndërkohë, qytetarët dhe bizneset po shohin tashmë frytet e para të kësaj qasjeje graduale përmes iniciativave si SEPA, ku Shqipëria është ndër të parat që u përfshi, apo procesi i heqjes së tarifave Roaming fillimisht mes vendeve të Ballkanit dhe tashmë me BE-në që pritet të finalizohet së shpejti. Gjithashtu, në zbatimin e Planit të Rritjes dhe përfitimin e fondeve, ku Shqipëria renditet e para në rajon.
Lidhur me pyetjen nëse integrimi i pjesshëm mund të shtyjë në kohë anëtarësimin e plotë, Gjipali sqaroi se rreziku nuk vjen nga vetë instrumenti, por nga situata politike e brendshme në disa vende anëtare ku forcat kundër zgjerimit mund të marrin terren. “Përkundrazi, ky mekanizëm ndihmon që në rast se do të kemi bllokim të procesit në të ardhmen, ne të jemi përfitues dhe brenda Bashkimit Europian në disa sektorë dhe në disa fusha. Në rast se nuk do të kemi këto mundësi procesi është i rrezikueshëm në çdo moment që ndryshon një maxhorancë në vendet kryesore të BE-së”.
I pyetur mbi mundësinë e anëtarësimit të plotë brenda vitit 2030, eksperti u shpreh optimist, por bëri thirrje për punë konkrete. “Ka vend për të qenë optimist sepse procesi ecën shpejt. Por duhet të kemi një rritje dhe intensitet të ndërmarrjes së reformave dhe zbatimit të tyre. Nëse po ecim me pjesën formale të legjislacionit, strategjive dhe dokumenteve të rëndësishme, i duhet kushtuar më shumë vëmendje zbatimit sepse është pika e dobët që Shqipëria ka pasur gjithmonë”, tha Gjipali.
Tashmë programet e radios mund t’i ndiqni përmes aplikacionit RTSH TANI, dhe nëse humbisni njërin syresh mund të riktheheni deri në një javë më pas.