“Shtëpia diskografike Columbia e regjistroi në vitin 1929”, stërnipi i Bilbil Vlorës zbulon historinë e Valles së Osman Takës

Vallja e njohur e Osman Takës tashmë është përfshirë zyrtarisht në Listën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Shqipërisë, një vlerësim për një nga perlat më të spikatura të folklorit tonë.
I ftuar në emisionin “Në Radio” të Andri Xhahut në Radio Tirana, Emanuel Tufa, stërnipi i muzikantit të shquar Bilbil Vlora, zbuloi detaje mbi origjinën e incizimit të parë të kësaj valleje. Sipas hulumtimeve të tij dhe konfirmimeve nga koleksionistët, Bilbil Vlora ka qenë i pari që e ka regjistruar “Vallen e Osman Takës” në një pllakë gramafoni në nëntor të vitit 1929, pranë shtëpisë diskografike me famë botërore Columbia, gjatë një sesioni regjistrimi në Shkodër.
Veprimtaria e Bilbil Vlorës, e cila shtrihet kryesisht në periudhën mes viteve 1920 dhe 1940, përbën një shtyllë të rëndësishme të trashëgimisë sonë muzikore. Siç thekson Tufa, akademiku i njohur Vasil Tole e vlerëson atë, së bashku me Selim Leskovikun, si dy prej muzikantëve më kryesorë e më ndikues në historinë e muzikës folklorike të Jugut. Emri i Bilbil Vlorës lidhet me disa prej perlave më të njohura tradicionale, si “Ç’ja thoshte bilbili”, “Vallja e pogonishtes”, “O Qemal kur të përzunë” apo “A kanë ujë ato burime”.
Lajmi për shpalljen e kësaj valleje si pasuri kombëtare e nxiti Tufën të verifikojë edhe një herë arkivat diskografike. “Kur lexova që ‘Vallja e Osman Takës’ është shpallur trashëgimi u gëzova dhe kontaktova menjëherë koleksionistët për konfirmim. Dhe ata më thane, po, është i vetmi regjistrim që kemi deri më sot,” tregon ai.
Në incizimin e parë historik të “Valles së Osman Takës”, orkestra e Bilbil Vlorës, e cila konsiderohej si më e madhja e Jugut, përbëhej nga figura qendrore, ku spikateshin vetë Bilbil Vlora në klarinetë dhe violinisti virtuoz përmetar, Riza Nebati. “Në fillim të shekullit të kaluar Shqipëria pati fatin që shtëpi diskografike të njohura si Columbia ose Odeon erdhën në Shqipëri për të regjistruar kryeveprat e këtyre mjeshtrave. Imagjino të vijë një trupë e shtëpisë diskografike Columbia në ato vite dhe të regjistronte. Madje ata i paguanin muzikantët”, shprehet Emanuel Tufa, duke nënvizuar se falë punës së këtyre kompanive dhe pasionit të koleksionistëve, sot ruhen disqet e para të atij brezi të artë.
Një nga momentet më prekëse dhe emocionale të këtij rrugëtimi hulumtues mbetet ai kur Emanueli ra për herë të parë në kontakt me trashëgiminë e stërgjyshit të tij, pas takimit me historianin Niko Kotherja. I nxitur nga kurioziteti i hershëm për të zbuluar rrënjët e familjes, ai nuk u mendua dy herë për të udhëtuar drejt Shqipërisë, ku përmes disqeve historike dëgjoi për herë të parë artin e Bilbil Vlorës pikërisht brenda mureve të simbolit të arsimit dhe identitetit tonë kombëtar, “Mësonjëtores”.
Emanuel Tufa u bën thirrje akademikëve dhe muzikologëve të thellojnë kërkimet shkencore rreth ngjarjeve diskografike të vitit 1929, pasi ekzistojnë ende shumë materiale, fotografi dhe regjistrime që mund t’i shtohen pasurisë sonë kulturore. Ruajtja e këtyre arkivave mban gjallë magjinë e një epoke të artë të folklorit shqiptar.
Tashmë programet e radios mund t’i ndiqni përmes aplikacionit RTSH TANI, dhe nëse humbisni njërin syresh mund të riktheheni deri në një javë më pas.