“S’na i tregoi vuajtjet”, miku rrëfen bisedën e fundit me aktorin Gjergj Mena: I mbështeste shumë të rinjtë

Regjisori dhe aktori i njohur Gjergj Mena është ndarë nga jeta në moshën 41-vjeçare. Përveç karrierës së tij skenike, ku spikati edhe si pjesë e spektaklit të humorit “Kosherja” në RTSH, emri i tij do të mbetet i lidhur ngushtë me festivalin teatror për të rinj “TK RIN ART”, një mision shtatëvjeçar që u dha mundësinë gjimnazistëve të preknin skenën dhe të zbulonin pasionin për artin.
Në një rrëfim prekës për emisionin “Në Radio” të Andri Xhahut në Radio Tirana, miku dhe kolegu i tij, Marsel Greva, ka ndarë dhimbjen për këtë humbje të papritur dhe tronditëse. Siç u shpreh Greva, ishte krejtësisht shokuese kur u zgjua sot dhe mësoi lajmin e hidhur, duke ndjerë nevojën t’i japë zë punës, pasionit dhe profesionalizmit që Gjergji kishte për artin.
Sipas mikut të tij, Gjergji ishte nga ata njerëz që nuk fliste për vështirësitë. Edhe pse kishte kaluar një periudhë kritike shëndetësore dhe të gjithë kishin besuar se e kishte fituar betejën, duke thënë se “kaloi ajo që ishte për të kaluar” dhe se tani ishte mirë, e vërteta paska qenë ndryshe. Ai e kishte fshehur dhimbjen për shumë kohë, duke mos treguar asnjëherë momentet e vështira dhe duke lënë përshtypjen se gjithçka kishte kaluar.
Greva sjell ndërmend bisedën e tyre të fundit jo më larg se një muaj më parë. Ata folën për publikimet e arkivës së RTSH-së, për shfaqjet dhe pjesët ku ai kishte luajtur, gjë që e gëzonte dhe i pëlqente shumë. Megjithatë, ai ka lënë në mes një nga projektet e tij më të dashura, festivalin e teatrit për të rinjtë me gjimnazistët. “E kishte nisur punën, kishte filluar të mblidhte grupet. Tani nuk e di nëse do e mbarojë dikush për Gjergjin”.
Duke sjellë ndërmend kujtimet e përbashkëta nga realizimi i spektaklit të humorit “Kosherja”, Greva kujtoi një video ku Gjergji priste për t’i rregulluar kollaren, duke ilustruar dëshirën e tij të madhe për të qenë gjithmonë korrekt përpara se të ngjitej në skenë. “Ishte nga të paktët persona profesionistë dhe korrektë në çdo aspekt. Profesionistë si ai vështirë të gjenden. Ishte shumë kërkues”.
Njohja e tyre daton që nga koha kur Greva ishte ende student, periudhë në të cilën Gjergji ishte ndër mbështetësit e parë që u jepte të rinjve mundësinë të merrnin pjesë në projektet e tij. Humbja e Menës do të ndihet thellësisht jo vetëm në sallat e teatrit dhe mes kolegëve, por sidomos te brezi i ri, pasi shumë talente e gjetën pikërisht tek ai, udhërrëfyesin drejt këtij profesioni.
Në mbyllje, miku i tij u shpreh se: “Gjergji ishte nga ata persona që nëse do t’i kërkoje diçka në 2 të mëngjesit, ai do ta hapte telefonin.”
Tashmë programet e radios mund t’i ndiqni përmes aplikacionit RTSH TANI, dhe nëse humbisni njërin syresh mund të riktheheni deri në një javë më pas.