“Të ndalojmë apo…”/ Neurokirurgu rrëfen operacionin 7 orësh te 3-vjeçarja: Mos neglizhoni simptomat te fëmijët

“Të ndalojmë apo…”/ Neurokirurgu rrëfen operacionin 7 orësh te 3-vjeçarja: Mos neglizhoni simptomat te fëmijët

Një ndërhyrje kirurgjikale e vështirë ka përfunduar me sukses në Shërbimin e Neurokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Një vajzë vetëm tre vjeç, e diagnostikuar me një masë tumorale në trurin e vogël, i është nënshtruar një operacioni që zgjati plot 7 orë.

Në emisionin “Në Radio” të Andri Xhahut në Radio Tirana, shefi i shërbimit të neurokirurgjisë, mjeku neurokirug Prof. Dr. Artur Xhumari, rrëfeu detajet e këtij operacioni, sfidat mjekësore si dhe rëndësinë e bashkëpunimit mes stafit mjekësor dhe familjes.

Prof. Dr. Artur Xhumari shpjegoi se kompleksiteti i këtij operacioni lidhej me dy parametra kryesorë: moshën e pacientes dhe pozicionin e masës tumorale. Sa i përket moshës, mjeku theksoi se te një fëmijë 3-vjeçar, “edhe hemorragjia më e vogël bëhet shumë problematike për trupin e saj të vogël”. Nga ana tjetër, vendndodhja e tumorit në trurin e vogël përbënte një rrezik të drejtpërdrejtë për jetën, pasi aty ndodhen struktura të rëndësishme jetike që kontrollojnë funksionet bazë, si frymëmarrja dhe rrahjet e zemrës. Sipas tij, çdo komplikacion apo hemorragji në atë zonë bëhet kërcënuese për jetën.

Gjatë heqjes së masës tumorale, ekipi u përball me hemorragji të papritura, një situatë që kërkonte ndalimin e përkohshëm të ndërhyrjes për t’i lënë kohë anestezistit të kompensonte gjakun e humbur. “Ne patëm dy herë pyetjen me veten: A duhet të ndalojmë e të mbyllim operacionin sepse hemorragjia po na detyron të ndalojmë, apo të provojmë edhe pak? Këtu bëhet një ekuilibër midis përfitimeve dhe humbjeve.”

Mjeku sqaroi se vendimi për të mos e lënë tumorin e hequr përgjysmë bazohej në faktin se pjesa e mbetur mbart rrezik të lartë për hemorragji të nesërmen. Mjeku tha se heqja e plotë është shansi më i mirë për pacientin, pasi garanton mbijetesën maksimale dhe një të ardhme pa probleme.

Rruga drejt këtij suksesi filloi me identifikimin e saktë të simptomave nga neurologët pediatër, të cilëve Prof. Xhumari u dha një meritë të veçantë. Ai vuri në dukje se mjeshtëria mjekësore qëndron te aftësia për të dalluar ankesat e zakonshme të një fëmije nga shenjat paralajmëruese të një tumori.

Për sa i përket simptomave, mjeku përmendi ndryshimet në sjellje (tulatja), kur një fëmijë që më parë ishte i qeshur e duke luajtur, papritmas ndryshon sjellje. Po kështu edhe shenjat fizike të përsëritura si dhimbje koke ose të vjella të pazakonta.

Suksesi i ndërhyrjes u konfirmua edhe nga ecuria e mëtejshme e pacientes. Mjeku bëri me dije se familjarët kanë njoftuar stafin multidisiplinar (pediatrët, imazheristët, neurokirurgët dhe anestezistët) se fëmija është në gjendje shumë të mirë shëndetësore. Kjo gjendje e stabilizuar i lejon asaj të fillojë fazën e dytë të trajtimit, atë të kimioterapisë, sipas protokolleve të caktuara.

Përveç anës teknike, Prof. Xhumari nënvizoi rëndësinë e besimit të ndërsjellë mes mjekut dhe familjarëve. Ai shprehu falënderimet e tij për prindërit e fëmijës, të cilët në mes të shqetësimit të madh mbetën bashkëpunues dhe besuan te aftësitë e ekipit mjekësor. “Faleminderit familjes së vajzës sepse ne besuam që do ia dilnim, dhe këtë besim që ne kishim familja e kuptoi dhe na besoi vajzën.”

Në mbyllje të intervistës, neurokirurgu përcolli dy mesazhe të rëndësishme. Ankesat e fëmijëve të vegjël nuk duhet të anashkalohen kurrë, sidomos kur ato përsëriten. Prindërit duhet t’i drejtohen menjëherë mjekut specialist. Gjithashtu ai bëri thirrje për ndryshimin e perceptimit publik ndaj sistemit shëndetësor në vend. “Njeriu një të keqe e mban mend tërë jetën, ndërsa një të mirë e harron shumë shpejt,” tha ai, duke theksuar se raste të tilla komplekse dëshmojnë se duhet të lihet mënjanë mosbesimi ndaj mjekësisë shqiptare.

 

Tashmë programet e radios mund t’i ndiqni përmes aplikacionit RTSH TANI, dhe nëse humbisni njërin syresh mund të riktheheni deri në një javë më pas.

Radio Tirana 1LIVE