10% e popullatës me sëmundje autoimune, Doktor Sulçebe: Zbulimi i faktorit genetik, zbulon shkallën e rrezikut
Pas pandemisë, sëmundjet autoimmune, ku sistemi imunitar lufton indet dhe qelizat e organizmit te vet duke prekur disa organe, po kthehen në një shqetësim serioz.
Këto sëmundje prekin 10% të popullatës. Imunologu i njohur Genc Sulçebe, drejtues i Qendrës së Kërkimeve në Bioteknologji dhe Gjenetikë në Akademinë e Shkencave thotë për RTSH se shtimi i tyre është shumë i shpejtë.
“Këto sëmundje kanë mbetur të padiagnostikuara siç duhet dhe me mjekime të paqarta ende. Vitet e fundit janë bërë studime dhe zbulime në këtë drejtim. Ato më të shpeshtat janë ato që prekin sistemin e kyçeve reumatizmal siç është artriti reumatid, sëmundjet madhore, ato që prekin sistemin endokrin , prekja e tiroides, sëmundje e cila po përhapet me shpejtësi“, thotë imunologu Sulçebe.
Këto sëmundje janë në rritje kryesisht për shkak të influencës së kushteve ambientale.
“Janë disa faktorë: ulja e infeksioneve është një faktor negativ për sistemin imunitar sepse infeksione ambjentale nxisin sistemin imunitar të përballojnë sëmundjet autoimune. Kjo është teoria e higjienës. Rritja e madhe e higjienës është shkak për sëmundjet autoimune. Obeziteti është faktor që akuzohet. Ushqimi, ushqimet industriale, ndotja e ajrit dhe ujërave, stili i jetesës, jetesa sedentare” thotë ai.
Diagnioza e saktë për këto sëmundje është kthyer në sfidë për vetë mjekët. Përparimet e dekadës së fundit në imunologji, gjenetikë dhe bioteknologji kanë zbuluar shumë nga mekanizmat që qëndrojnë pas këtyre sëmundjeve, duke na afruar me një objektiv të ri: mjekësinë e personalizuar, mjekësinë që përshtatet me profilin gjenetik dhe imunologjik të çdo individi.
“Ideja është që ne të përcaktojmë ato gene që predispozojnë për një sëmundje gjenetike, për të bërë të mundur që duke eliminuar faktorët mjedisorë, të mos shfaqet sëmundja ky është synimi.Zbulimi i geneve përgjegjëse përcakton rrezikun e një personi për të shkuar për një sëmundje të caktuar gjenetike dhe të mundësohet , përvijohet me faktorët parandalues”, nënvizon imunologu Sulçebe.
Diagnoza e hershme dhe e saktë si dhe mjekimi sa më i përshtatshëm shpëton jetën e pacientin.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




