115-vjetori i Migjenit/Aktivitete në përkujtim të tij, në Shkodër, në teatrin që mban emrin e tij

Kulturë | 56 minuta më parë

Vargjet e Migjenit u rikthyen në teatrin që mban emrin e tij, këtë herë për të kujtuar 115-vjetorin e lindjes së një prej figurave më të rëndësishme të letërsisë shqiptare. Përmes interpretimeve të aktorëve shkodranë, poezia e tij solli sërish mesazhet dhe realitetin shoqëror që poeti pasqyroi në krijimtarinë e tij.

“Ishte poeti i mjerimit, por edhe poeti i revoltës. Ai pasqyronte me vërtetësi realitetin e kohës”, u shpreh Agron Dizdari, aktor “Mjeshtër i Madh”.

“Jo vetëm që duhet ta lexojnë, por duhet edhe ta kuptojnë, të futen në thellësi dhe në brendësi të tij, pasi sot ai mbetet më aktual se kurrë”, tha Merita Smaja, aktore “Mjeshtër i Madh”.

Në hollin e teatrit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave prezantoi një ekspozitë me dokumente për jetën e Migjenit dhe materiale nga premierat artistike kushtuar atij ndër vite.

“Ekspozita jonë është e bazuar në dokumenta të cilët flasin jo vetëm mbi veprën e tij, por edhe mbi jetën kushtuar të gjithë fragmentarizmit që ai ka pasur gjatë viteve të tij”, tha Alta Gasa, Specialiste, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave.

Poeti u kujtua edhe nga të rinjtë shkodranë. Pranë bustit të Migjenit, nxënësit e gjimnazit “Jordan Misja” interpretuan vargje të tij, në bashkëpunim me Bibliotekën Publike “Marin Barleti”.

115 vjet pas lindjes, Migjeni vazhdon të kujtohet përmes krijimtarisë së tij, e cila mbetet një pjesë e rëndësishme e letërsisë shqiptare dhe trashëgimisë kulturore të Shkodrës.

Gazetar: Marjo Gjini

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme