15 vite nga 21 Janari, Rama: Protesta doli jashtë kontrollit, dera anësore u hap si për t’i zënë në kurth, u qëllua mbi ta teksa po shpërndaheshin

Aktualitet | 9 muaj më parë

Sot u përkujtua 15-vjetori i vrasjes së katër protestuesve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, më 21 janar 2011. Në ceremoninë e zhvilluar pranë Kryeministrisë, ku ishin të pranishëm edhe familjarët e viktimave, Kryeministri Edi Rama e cilësoi 21 Janarin si “krim shtetëror” dhe theksoi se mungesa e drejtësisë për këtë ngjarje përbën një padrejtësi të rëndë për Shqipërinë dhe popullin shqiptar.

Në fjalën e tij, Rama deklaroi se “15 vjet pa drejtësi janë 15 vite të një padrejtësie të madhe”, duke nënvizuar zhgënjimin dhe dhimbjen e vazhdueshme të familjarëve të katër viktimave, të cilët ende presin zbardhjen e plotë dhe ndëshkimin e përgjegjësve.

Kryeministri rrëfeu me detaje rrethanat e protestës së opozitës së asaj kohe, duke kujtuar se protesta nisi paqësisht, por u përball që në fillim me ndërhyrje të forcave të rendit, përfshirë përdorimin e gazit lotsjellës. Sipas tij, situata u përshkallëzua në kaos për shkak të reagimit të policisë ndaj protestuesve që po mblidheshin, ndërsa ai theksoi se nuk pati asnjë provë për praninë e armëve në radhët e protestuesve.

“15 vjet më parë këtu në këtë godinë, ishte barrikaduar një hardhi e armatosur përzierje e trupës  së rregullt të gardës dhe çetës së paramilitarëve famëkëqij të kryeministrit. Godina ishte përforcuar me tela me gjemba, shtrirë gjithandej pas atij gardhi të shëmtuar dhe hekurave që rrethonin kryeministrinë qysh pas sulmit të 14 shtatorit të ’98-ës pjesë e së cilës ishin dhe disa nga të barrikaduarit brenda kryeministrisë në 21 janar 2011.

Njeriu i futur nga populli në zyrën e kryeministrit për të udhëhequr Shqipërinë kishte lëshuar kushtrimin e një përgjigje me plumb ballit ndaj protestës së opozitës së bashkuar të kohës. Kur së bashku me Pandeli Majkon dhe disa shokë të tjerë po kalonim urën e bulevardit për të ardhura përpara godinës, një autoblind u shfaq në horizont dhe një valë gazi lotsjellës u lëshuan mbi kokat e njerëzve pa nisur ende protesta duke na zmbrapsur nga parku Rinia.

Rrëmuja e provokuar nga ajo mësymje qorre e policisë mbi protetsuesit që po mblidheshin e ktheu protestën në lëmsh kaotik mes protestuesve e forcave të rendit duke na detyruar të ktheheshim në selinë e partisë. Protesta doli jashtë kontrollit, por përtej reagimit të turmës ndaj policisë dhe vatrave të zjarrit të ndezura në atë revoltë e sipër në kazanë, nën ndonjë makinë,  mbi faqet e piramidës, për asnjë ccast protestuesit nuk tentuan të kapërcejnë gardhin e godinës së Kryeministrisë. Përveç një veture e cila u filmua duke hyrë në portën anësore të hekurit, hapur çuditshëm nga brenda si ftesë e kurth, askush nga protestuesit nuk bën përçapje për të shkelur perimetrin e  ashtuquajtur të sigurisë e synuar futjen në godinë. ”, deklaroi Rama.

Rama nënvizoi se, pavarësisht tensioneve, protestuesit nuk tentuan në asnjë moment të depërtonin në godinën e Kryeministrisë. Ai shtoi se asnjë dëshmi apo material filmik nuk provoi rrezik real për godinën apo për personat e barrikaduar brenda saj.

Sipas Kryeministrit, momenti më tragjik erdhi kur protesta po shpërndahej paqësisht dhe turma ishte zvogëluar ndjeshëm.

Në fund të fjalës së tij, Rama u shpreh se çdo 21 Janar rikthehet si një peshë e rëndë morale dhe politike, duke kujtuar dhimbjen e prindërve, bashkëshorteve dhe fëmijëve të katër protestuesve që humbën jetën. Ai theksoi se pa vendosjen e drejtësisë, kjo plagë mbetet e hapur jo vetëm për familjarët e viktimave, por për gjithë shoqërinë shqiptare.

“Asnjë dëshmitar në vend dhe më pas asnjë material filmik i ngjarjes, nuk nxorri askund në pah praninë e asnjë arme të vetme në radhët e protestuesve. Mijëra fishekë luftarak u shkrehën në ajër nga forcat e sigurisë për të frenuar një turmë e cila u përfshi në konflikt fizik me to, si paosjë e përpjekjes së këtyre të fundit për të shpërndarë protestën ende pa u mbledhur.

Por gjithsesi, gjithçka u zhvillua jashtë rrezes që çdo rreziku të imagjinueshëm për këtë godinë, dhe lëre pastaj për vipin e vetëngujuar brenda saj me hordhinë  vet dhe karafilin e tij ambulant lart në tarracë.

Kur pas disa orësh turma e zvogëluar ndjeshëm në bulevard nisi të shpërndahej ndjeshëm krejt paqësisht, tytat e pushkëve u ulën drejt trupave të protestuesve dhe morën 4 jetë të pafajshme, duke plagosur dhe disa protestues të tjerë, pasojë fatale e mendjes kriminale, e cila me gjasë nuk donte të humbte rastin pa ju t’u treguar kundërshtarëve politikë, se të vriste me të vërtetë. Dreqi e di se çfarë u tha mendja atij që e urdhëroi dhe atyre që e kreun atë krim shtetëror të pashembull për mendjen demokratike, duke përvëluar shpirtin e prindërve, bashkëshorteve, fëmijëve të 4 burrave të rinj që nuk u kthyen më në shtëpi.

Zoti e di me çfarë guri në zemër vij në këtë godinë kur del drita e ditës së 21 Janarit. Është një gur që bëhet gjithnjë e më i madh dhe më tregon përmes një sëkëlldie të madhe se sa më i madh bëhet çdo 21 Janar, zhgënjimi juaj të dashur familjarë të 4 dëshmorëve. Hidhërimi juaj, pengu juaj për mosardhjen e drejtësisë. 15 vjet pa drejtësi, janë 15 vitet e një padrejtësie të madhe mbi Shqipërinë dhe popullin shqiptarë”, tha kryeministri.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme