17 vjetori i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, Begaj: Mbetemi të palëkundur në përkushtimin për të qenë faktor stabiliteti dhe sigurie

Presidenti Bajram Begaj, përkujtoi sot nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale 17-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, si një arritje historike që ka forcuar sigurinë, sovranitetin dhe rolin e vendit tonë në aleancën Euroatlantike.
Kreu i Shtetit vlerësoi kontributin e Shqipërisë si një aleate e denjë në shërbim të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, duke theksuar angazhimin e vazhdueshëm të vendit në misionet dhe operacionet e Aleancës.
Në këtë kontekst, Begaj shprehu krenarinë për përkushtimin dhe profesionalizmin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të cilat kanë kontribuar me dinjitet krah aleatëve kudo sa herë dhe ku është kërkuar kontributi i tyre.
“Sot, 17 vjet Shqipëria në NATO, një moment historik për sigurinë, sovranitetin dhe orientimin tonë Euroatlantik. Si aleancë e vlerave demokratike, NATO është garant i paqes, sigurisë dhe mbrojtjes kolektive në hapesiren Euroatlantike. Shqipëria është një aleate e denjë, kontribuese aktive në misionet dhe operacionet e saj. Krenarë për përkushtimin dhe profesionalizmin e Forcave tona të Armatosura! Mbetemi të bashkuar për paqen, stabilitetin dhe një të ardhme më të sigurt për të gjithë“, shkruan Begaj.
Presidenti theksoi se Shqipëria mbetet e palëkundur në përkushtimin e saj për të qenë një faktor stabiliteti dhe sigurie dhe se krah aleatëve të saj ajo do të vijojë të kontribuojë për paqen, stabilitetin dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt për të gjithë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



