18-vjetori i pavarësisë së Kosovës, Trump: SHBA mbështet sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit, gati të zgjerojmë tregtinë dhe investimet

Kosovë | 8 muaj më parë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka uruar Kosovën me rastin e 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë.

Në një letër drejtuar homologes së tij, Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, Trump përgëzon popullin e Kosovës për këtë përvjetor, të cilin e cilëson si një moment të rëndësishëm historik. Ai rikonfirmon mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.

Në mesazhin e tij, Presidenti amerikan shpreh gjithashtu gatishmërinë për thellimin e partneritetit ndërmjet dy vendeve, veçanërisht përmes rritjes së tregtisë dhe investimeve, me synim forcimin e prosperitetit të përbashkët.

Trump thekson se SHBA-të janë të gatshme të punojnë krah për krah me Kosovën për avancimin e paqes dhe stabilitetit, në dobi të ndërsjellë. Ai shpreh falënderimin ndaj Presidentes Osmani dhe popullit të Kosovës për mbështetjen e përpjekjeve amerikane për paqe, si dhe mirëpret Kosovën si anëtare themeluese të Bordit të Paqes, një iniciativë që synon ta bëjë botën më të sigurt, më të fortë dhe më të begatë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme