25 Maji, Dita Botërore e Tiroides! Mjekja Dyrmishi: Një në 10 persona rrezikon probleme, lodhja dhe shtimi në peshë janë disa nga shenjat kryesore

Shëndet | 4 muaj më parë

Problemet me tiroiden po prekin gjithnjë e më shumë shqiptarët, ndërsa mjekët paralajmërojnë se rastet janë shtuar ndjeshëm vitet e fundit, sidomos te gratë dhe të rinjtë. Lodhja e vazhdueshme, shtimi apo humbja e peshës, ankthi, pagjumësia, problemet me zemrën apo ndryshimet emocionale janë vetëm disa nga shenjat që shpesh neglizhohen, por që mund të lidhen drejtpërdrejt me çrregullimet e tiroides.

Në kuadër të 25 Majit, Ditës Botërore të Tiroides, mjekja endokrinologe Blerina Dyrmishi, e ftuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, foli për rëndësinë jetike që ka kjo gjëndër e vogël në funksionimin e të gjithë organizmit, duke theksuar se problemet me tiroiden mund të ndikojnë që nga jeta intrauterine deri në moshën e tretë.

“Tiroidja është një nga gjëndrat më të mëdha endokrine, por në fakt është shumë e vogël në peshë, rreth 20 gramë në total. Megjithatë, ajo ka një ndikim jashtëzakonisht të madh në jetën tonë, duke filluar që para lindjes, gjatë jetës intrauterine, e deri gjatë gjithë periudhave të zhvillimit të njeriut, në fëmijëri, adoleshencë, moshë të rritur apo edhe në moshë të thyer. Kjo sepse është një nga organet kryesore që merr pjesë jo vetëm në metabolizmin e organizmit, por edhe në zhvillimin fizik dhe mendor”, u shpreh mjekja.

Sipas saj, tiroidja luan një rol kyç në zhvillimin e trurit tek fëmijët, sidomos gjatë tre viteve të para të jetës, ndaj diagnostikimi i hershëm është thelbësor për të shmangur pasoja të pakthyeshme.

“Një nga shkaqet e trajtueshme të prapambetjes mendore lidhet pikërisht me problemet e tiroides. Nëse një fëmijë lind me mungesë të funksionit të kësaj gjëndre dhe kjo nuk zbulohet që në lindje, atëherë zhvillimi intelektual mund të mbetet më i ulët krahasuar me fëmijët e tjerë. Për këtë arsye, kontrolli i tiroides tek të porsalindurit është shumë i rëndësishëm. Nëse kjo periudhë kalon pa u trajtuar, ne mund ta ndihmojmë fëmijën fizikisht, por nuk mund të rikthejmë mbrapsht zhvillimin e munguar të trurit”, tha Dyrmishi.

Mjekja theksoi se statistikat tregojnë se një në 10 persona mund të përballet gjatë jetës me probleme të tiroides, të cilat mund të shfaqen si ulje apo rritje e funksionit të saj.

“Në rastin e hypotirozës, pra uljes së funksionit të tiroides, kemi simptoma si shtim i pashpjegueshëm në peshë, lodhje të vazhdueshme, intolerancë ndaj të ftohtit, tharje të lëkurës, rënie të flokëve, kapsllëk, ulje të ritmit të zemrës apo edhe simptoma depresive. Janë shenja që shpesh njerëzit i neglizhojnë, duke menduar se lidhen me stresin apo lodhjen e përditshme, por në fakt mund të jenë sinjal i një problemi serioz me tiroiden”, shpjegoi ajo.

Ndërsa në rastin e hipertirozës, ku funksioni i tiroides është i rritur, simptomat janë të kundërta.

“Personat ndjejnë vapë edhe kur temperaturat nuk janë të larta, humbin peshë pa arsye, kanë rrahje të shpejta të zemrës, ankth apo nervozizëm të shtuar. Hipertiroza është gjithashtu një nga shkaqet kryesore të aritmive kardiake dhe për këtë arsye mjekët kardiologë kontrollojnë gjithmonë funksionin e tiroides tek pacientët që paraqiten me çrregullime të ritmit të zemrës”, deklaroi endokrinologia.

Një ndër patologjitë më të përhapura është edhe tiroiditi Hashimoto, një sëmundje autoimune që prek më shpesh gratë.

“Hashimoto është shkaku më i zakonshëm i hypotirozës. Organizmi fillon të sulmojë vetveten përmes antitrupave, duke dëmtuar gradualisht funksionin e tiroides. Faktorët që ndikojnë janë predispozita familjare, mungesa e jodit, infeksione të caktuara virale, patologji të tjera autoimune, por edhe fakti që personi është femër. Rastet tek gratë janë disa herë më të shpeshta sesa tek meshkujt”, tha ajo.

Mjekja foli edhe për rëndësinë e ushqyerjes në ruajtjen e një tiroide të shëndetshme, duke theksuar se fokusi i Ditës Botërore të Tiroides këtë vit lidhet pikërisht me raportin mes tiroides dhe ushqimit.

“Tiroidja ka nevojë për jod dhe mikroelementë të rëndësishëm. Produktet e detit, arrat braziliane, farat e lulediellit dhe ushqimet e pasura me selenium janë shumë të rëndësishme për funksionimin normal të saj. Një ushqyerje e shëndetshme ndihmon drejtpërdrejt në parandalimin e problemeve tiroide”, u shpreh Dyrmishi.

Ajo theksoi se pavarësisht komplikacioneve që mund të sjellin, çrregullimet e tiroides janë të trajtueshme nëse diagnostikohen në kohë.

“Çdo disfunksion i tiroides, qoftë ulja apo rritja e funksionit të saj, është i trajtueshëm. Pacientët me hypotirozë zakonisht kanë nevojë për një mjekim afatgjatë, i cili merret çdo mëngjes esëll dhe përshtatet sipas nevojave të organizmit. Edhe hipertiroza trajtohet shumë mirë me medikamente apo metoda të tjera, në varësi të rastit. Pas trajtimit, shumica e simptomave rikthehen në normalitet dhe pacientët mund të bëjnë një jetë krejtësisht normale”, përfundoi mjekja endokrinologe.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme