3% e shqiptarëve vuajnë nga psoriaza – Sëmundja inflamatore e lëkurës rrit stigmën, mjekja: Protokollet po përmirësohen
Këto shenja inflamatore në lëkurë njihen si psoriazis në dermatologji dhe shpërthimi i tyre ndodh kur sistemi imunitar bie e në lëkurë nis rritje e qelizave që shkaktojnë këto pllaka.
Dermatologia Monika Fida thotë se numri i pacientëve që vuajnë nga kjo sëmundje në Shqipëri zë rreth 3% të popullatës.
“Është sëmundje që ka efekt shumë të madh psikologjik tek individët dhe kjo varet nga shkalla e shtrirjes. Ka forma të ndryshme të manifestimit në lëkurë. Ka impakt të madh në cilësinë e jetës, por ky është më i madh tek adoleshentët të cilët nuk e pranojnë dot që të kenë psoriazis me prekje të kokës, prekje të thonjve, të duarve apo të zonave që vërehen fare mirë. Kjo prek edhe stigmën tek këta pacientë. Simptoma të tjera mund të jenë element eritomatozë, të skuqur, me skuamë ose mund të formohen pllaka të mëdha të psoriazës dhe skuamës. Mund të ketë prekje të thonjve deri në shkatërrim, mund të ketë zbokth shumë të shtuar në kokë, prurit më intensiv, por ka edhe raste me pllaka të mëdha në trup, eritrodermi e gjeneralizuar dhe disa raste me prekje të artikulacioneve“, thotë Fida.
Por kjo sëmundje nuk mbetet vetëm në lëkurë. Inflamacioni që ajo çliron në lëkurë ndikon në shfaqjen edhe të sëmundjeve të tjera.
“Veçanërisht adultët kanë një seri sëmundjesh bashkëshoqëruese dhe në këtë këndvështrim mesazhi është shumë i qartë: Ne mjekët që trajtojmë psoriazën duhet të trajtojmë edhe sëmundjet bashkëshoqëruese. Veçanërisht ky mesazh është për mjekët e familjes, të cilët përveç psoriazës duhet të trajtojnë edhe sindromin metabolik si diabetin, që është me risk më të lartë tek këta pacientë, dislipidemitë, rritjen e yndyrnave në gjak, rrezikun për aterosklerozë dhe sëmundje kardiovaskulare“, thekson dermatologia.
Protokollet e trajtimit po përmirësohen çdo vit dhe sot psoriaza trajtohet me sukses. Për fat, një pjesë e këtij trajtimi kryhet edhe në Shqipëri.
“Psoriaza trajtohet me disa preparate biologjike që luftojnë çlirimin e citokinave të ndryshme që janë në bazë të fiziopatologjisë së kësaj sëmundjeje. Përmes preparateve të reja ne kemi mundësi të parandalojmë shpërthimin dhe agravimin e psoriazës tek individët dhe veçanërisht të mos lejojmë avancimin në forma të rënda ose në prekje të artikulacioneve nga kjo patologji. Ekzistojnë edhe në Shqipëri një pjesë e tyre. Jepen pranë QSUT me një komision mjekësh dhe efikasiteti është shumë i madh“, nënvizon dermatologia Fida.
Pacientët me psoriazis vuajnë shumë nga paragjykimet, diskriminimi, vetëizolimi dhe jo rrallë depresioni për shkak të pamjes së rënduar të lëkurës së tyre në pjesë të caktuara. Ata duhet t’i qëndrojnë larg sheqerit, kafeinës, yndyrnave dhe produkteve të mishit që të mos nxitet shpërthimi i sëmundjes.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsha.l/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




