Ben Blushi nderohet me çmimin special “Hyjnesha në fron”, vlerësohet romani “ Jam Mysliman”
Ben Blushi është vlerësuar me çmimin special “Hyjnesha në Fron” në Panairin e Librit në Prishtinë, për romanin e tij më të fundit, “Jam Mysliman”.
Struktura përmbajtësore e romanit, si dhe stili i veçantë letrar i përdorur në trajtimin e temave të veçanta që prekin shoqërinë, bënë që juria e panairit të vlerësojë autorin e njohur.
Gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve, Blushi tha se ky libër ka nxitur debate të shumta, por ai sqaroi se romani për të cilin po vlerësohet është një vepër letrare dhe nuk duhet parë si një qëndrim politik apo personal.
“Jam shumë i gëzuar me këtë çmim, sepse libri për të cilin mora çmim, “Jam Mysliman”, është sulmuar shumë për fat të keq. Edhe kjo tregon që shoqëria është e manipuluar dhe nuk duhet të nisemi nga paragjykimet e grupeve të ndryshme ekstremiste. Libri “Jam Mysliman” është një libër kundër ekstremistëve dhe ne jetojmë në një kohë ekstremesh”, tha Blushi.
Romani “Jam Mysliman” rrëfen historinë e një shkrimtari ateist që, nën presionin e shoqërisë ku jeton, vendos të konvertohet në mysliman.
Gazetare: Keti Toroveci
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




