Rriten infeksionet e veshit, mjekja: Shkak zhytja në ujëra të ndotura dhe pastrimi agresiv

Shëndet | 2 muaj më parë

Dhimbje, kruajtje, veshi, ndjesi bllokimi dhe në disa raste edhe rënie të dëgjimit. Janë këto disa nga pasojat me të cilat po përballen gjatë verës pacientët që zhvillojnë infeksione të veshit. Sipas shefes së ORL-së në QSUT, burimi i këtyre shqetësimeve janë kryesisht kontakti me ujërat e pishinave, zhytja në ujëra të ëmbla dhe deti kur është i mbipopulluar.

“Kategoria më e madhe janë të rriturit dhe janë infeksionet e veshit të jashtëm që lidhen me frekuentimin e pishinave, të detit, por përgjithësisht të ujërave jo shumë të pastra ose të kujdesit jo të përshtatshëm ndaj veshit. Pacienti ka dhimbje shumë të forta, diskomfort, dhimbje, mund të ketë qelb që rrjedh nga veshi, enjtet veshi, pra janë, është i bezdisur në sensin e simptomatologjisë”, tha shefja e ORL-së Brikena Qirjazi.

Të vegjlit përballen me infeksione të veshit të mesit, të cilat shfaqen pas virozave, ndryshimeve të temperaturave dhe presionit, por edhe gjatë udhëtimeve ajrore apo zhytjeve.

“Mund të shoqërohen edhe me ulje dëgjimi të përkohshme. Mund të ngelet dhe daullja e veshit e çarë nëse janë të përsëritura. Pra, ky grup është më problematik.Infeksionet e veshit të mesëm që ndodhin përgjithësisht në moshën pediatrike shoqërohen gjithmonë me temperaturë” tha ajo.

Mjekët këshillojnë sidomos kujdes me mënyrën e pastrimit,

“Të mos të kruhet me lloj-lloj sendesh të forta, të papërshtatshme, sepse hapin porta për futjen e infeksioneve dhe e dyta, që njerëzit duhet t’i zgjedhin vendet në të cilat lahen, sepse jo të gjitha, po them, pishinat janë me ujë të kontrolluar, të klorizuar, që ndërrohet sipas kushteve teknike që duhet të ndërrohet”, tha ajo.

Shefja e ORL-së thotë se çdo ditë në spital trajtohen rreth 15-20 raste që përbëjnë ato më të komplikuarat, ndërsa pjesa më e madhe priten nga qendrat e specialiteteve.

Mjekët këshillojnë të mos neglizhohet dhimbja, rrjedhja nga veshi apo ndjesitë e bllokimit, por të trajtohen në kohë.

Gazetare: Sonila Mlloja 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme