35-vjetori i pavarësisë së Ukrainës/ Kryeministri britanik viziton Kievin: Mbështetja jonë nuk do të zbehet

Kryeministri britanik Andy Burnham do të zhvillojë këtë të hënë (24 gusht) vizitën e tij të parë jashtë vendit në Kiev, ku do të marrë pjesë në ceremonitë e 35-vjetorit të pavarësisë së Ukrainës dhe do të riafirmojë mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për Kievin. Gjatë vizitës, Burnham pritet të kryesojë për herë të parë takimin e “koalicionit të të vullnetshmëve”, të krijuar nga Mbretëria e Bashkuar dhe Franca. Ai gjithashtu do të takohet me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe do të marrë një çmim në emër të popullit britanik, në shenjë mirënjohjeje për mbështetjen që Londra i ka dhënë Ukrainës.
Vizita vjen në një periudhë përshkallëzimi të sulmeve ruse ndaj Ukrainës. Një sulm i fundit në një qendër tregtare shkaktoi të paktën 16 viktima. “Populli ukrainas nuk duhet të ketë asnjë dyshim: Mbretëria e Bashkuar është me ju sot dhe për aq kohë sa të duhet”, deklaroi Burnham përpara vizitës. Ai theksoi se mbështetja britanike nuk do të zbehet dhe se siguria e Ukrainës lidhet drejtpërdrejt me sigurinë e Mbretërisë së Bashkuar.
“Ne nuk do të tërhiqemi derisa të ketë një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, tha kryeministri britanik.
Ndërkohë, Moska ka paralajmëruar Londrën për “pasoja” për shkak të përdorimit të dronëve britanikë nga Ukraina në sulmet e fundit ndaj objektivave në territorin rus. Ambasada ruse në Mbretërinë e Bashkuar ka akuzuar Londrën se po zgjedh “qëllimisht një përshkallëzim të krizës në Ukrainë”, ndërsa Burnham ka deklaruar se Britania nuk do të jetë “mik i motit të mirë” dhe do të vazhdojë të qëndrojë pranë Ukrainës.
Gjatë vizitës në Kiev, Burnham pritet gjithashtu të njoftojë se qeveria britanike ka rënë dakord të lejojë kompaninë e mbrojtjes MBDA të deklasifikojë informacionin mbi komponentët britanikë të raketës me rreze të gjatë veprimi SCALP, ekuivalenti francez i Storm Shadow.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



