5 ditë protesta të dhunshme, Hita: 167 të arrestuar, 132 efektivë të lënduar. Pezullohen 7 policë, tejkaluan kompetencat me protestuesit
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka dalë në një konferencë për mediat, ku ka bërë një bilanc të pesë ditëve të protestave, të shoqëruara me përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit.
Hita bëri me dije se janë arrestuar 167 shtetas dhe janë proceduar penalisht 388 të tjerë, ndërsa 7 punonjës policie janë pezulluar nga detyra dhe ndaj tyre ka nisur hetimi disiplinor për tejkalim të detyrës, mosrespektim të parimit të proporcionalitetit dhe mënyrën e trajtimit të protestuesve.
“Prej pesë ditësh, Policia e Shtetit po përballet me akte dhune gjatë tubimeve, ku persona të maskuar dhe të dhunshëm kanë sulmuar për orë të gjata punonjësit e Policisë dhe institucionet publike, si dhe kanë dëmtuar pronën publike dhe private.Në mënyrë të vazhdueshme, Policia e Shtetit u ka bërë thirrje pjesëmarrësve në protesta që të distancohen nga dhuna dhe personat e maskuar, si dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për tubim në mënyrë paqësore.
Si rezultat i këtyre veprimeve, janë arrestuar 167 shtetas dhe janë proceduar penalisht 388 shtetas të tjerë. Paralelisht, janë pezulluar nga detyra 7 punonjës policie dhe ndaj tyre ka nisur menjëherë hetimi disiplinor për tejkalim të detyrës, mosrespektim të parimit të proporcionalitetit dhe mënyrën e trajtimit të një protestuesi nga ana e punonjësve të Policisë”, tha Hita.
Drejtori i Policisë së Shtetit theksoi se asnjë efektiv nuk ka marrë urdhër për të vepruar në kundërshtim me procedurat standarde të punës. Ai garantoi se çdo rast i evidentuar i tejkalimit të kompetencave apo mosrespektimit të procedurave do të trajtohet sipas ligjit.
“Dua t’i siguroj qytetarët se asnjë punonjës policie nuk ka marrë urdhër, në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë, për të vepruar në kundërshtim me procedurat standarde të punës. Çdo rast i evidentuar i tejkalimit të kompetencave apo mosrespektimit të këtyre procedurave do të trajtohet sipas ligjit. Punonjësit e Policisë janë instruktuar vazhdimisht që, në çdo rast ndërhyrjeje apo vetëmbrojtjeje ndaj sulmeve, të zbatojnë me rigorozitet procedurat standarde të punës dhe parimin e proporcionalitetit”, tha ai.
Gjatë konferencës, Hita foli edhe për mjetet e përdorura nga policia gjatë protestave, pasi u pyet nëse janë përdorur fishek gome gjatë protestave në Tiranë. Hita tha se ndërhyrjet janë kryer në përputhje me kuadrin ligjor dhe në raport me shkallën e rrezikut. Sipas tij, efektivët janë sulmuar me gurë, pllaka guri, sende metalike, zara metalikë të hedhur me llastikë, lëndë piroteknike dhe bomba molotov.
“Gjatë tubimeve të dhunshme, ashtu si në vendet e Bashkimit Evropian, Policia e Shtetit përdor mjetet e përcaktuara nga legjislacioni dhe procedurat standarde të punës për garantimin e rendit dhe sigurisë, si dhe për mbrojtjen e punonjësve të Policisë. Përdorimi i këtyre mjeteve bëhet në përputhje me kuadrin ligjor dhe në raport me shkallën e rrezikut. Dua të theksoj se, gjatë ditëve të tubimeve, punonjësit e Policisë janë sulmuar me gurë, pllaka guri, sende metalike, zara metalikë të hedhur me llastikë, lëndë piroteknike, bomba molotov dhe sende të tjera.
Si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj punonjësve të Policisë, kryesisht në Tiranë, por edhe në Shkodër dhe Lezhë, janë dëmtuar 132 punonjës policie. Disa prej tyre vijojnë të marrin ndihmë mjekësore në spital”, tha Hita.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



