60% e të rriturve janë mbipeshë, ISHP: Duhet të ndërpresim urgjentisht rritjen e obezitetit
Popullata shqiptare po rrezikohet gjithnjë e më shumë nga obeziteti, që nuk është thjesht çështje peshe, por sëmundje. Instituti i Shëndetit Publik deklaron se, përveç të rriturve, edhe numri i fëmijëve obezë është rritur disa herë në 10 vitet e fundit.
“60% e të rriturve në Shqipëri janë mbipeshë dhe obezë, ku 20% janë obezë. Edhe shifrat e fëmijëve kanë ardhur në rritje. 10% e fëmijëve klasifikohen si obezë”, tha Jolanda Hyska, shefe e sektorit të sigurisë ushqimore dhe ushqyerjes në ISHP.
Autoritetet shëndetësore nuk e shohin më problemin si çështje individuale, por më shumë si një përgjegjësi shoqërore.
“Dikur ne thonim: ha më pak dhe lëviz më shumë. Kjo moto sot nuk bën më sens, sepse obeziteti nuk është më çështje individuale, por multifaktoriale. Sot flitet gjithnjë e më shumë për faktorët mjedisorë dhe emocionalë. Sot gjithnjë e më shumë ndaj ushqimeve të procesuara dhe ultra të përpunuara, dhe marketingu i tyre është kaq i fuqishëm sa ndikon gjithnjë e më shumë në rritjen e konsumit të këtyre produkteve të pasura me vlera kalorike dhe të varfra në vlera nutricionale”, theksoi Hyska.
Kequshqyerja dhe mungesa e aktivitetit fizik kanë bërë që pasojat në shëndet të jenë fatale.
“Të dhënat tregojnë qartë se diabeti, sëmundjet kardiovaskulare dhe disa lloje kanceresh i referohen pikërisht një komplikacioni të ardhur nga obeziteti”, deklaroi Hyska.
Autoritetet bëjnë thirrje së pari për ndërprerje urgjente të rritjes së obezitetit në vend e më pas për uljen e tij. Reagimi, sipas tyre, duhet të fillojë që nga nënat e reja.
“Për fat të keq, po na ulen shifrat e ushqyerjes ekskluzive me gji, që është një nga elementët më të rëndësishëm edhe për obezitetin, sepse të dhënat tregojnë që nëse fëmija ushqehet me gji, do të parandalojë mbipeshën në moshë të hershme dhe komplikacionet”, u shpreh Hyska
Sipas OBSH, 1.7 milionë njerëz në botë humbasin jetën para kohe nga komplikacionet e sëmundjeve kronike, ku obeziteti është faktor kryesor.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




