Ekskluzive – Kryeministri i RMV, Talat Xhaferi për RTSH: Maqedonasit s’janë gati për një president shqiptar

Talat Xhaferi, prej 28 janarit ka hyrë në histori, si Kryeministri i parë shqiptar i Maqedonisë së Veriut.
Në një interviste ekskluzive dhënë për gazetaren Matilda Mcini në Radio Televizionin Shqiptar, ai foli për përgjegjësitë në organin më të lartë të ekzekutivit, përgatitjen e zgjedhjeve parlamentare të 8 Majit si edhe ato presidenciale, vazhdimi i punës për rrugën drejt integrimit të vendit në BE, marrëdhënia me vendet e tjera te Rajonit, kryesisht me Shqipërinë dhe Kosovën.
Ndonëse me mandat të kufizuar, zgjedhjen e tij si Kryeministër Xhaferi e sheh si një moment të rëndësishëm motivimi për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.
Në lidhje me bashkëpunimin e ndërsjelltë të partive politike me etni të ndryshme ai e sheh si një domosdoshmëri për të ruajtur vlerat specifike që ka Maqedonia e Veriut dhe për të forcuar më tëj nevojat ekonomike te vendit.
Xhaferi deklaroi se perceptimi i shtetasve maqedonas ndaj shqiptarëve atje ka ndryshuar ndjeshëm. Por ai nënvizoi se vendi fqinj nuk është ende gati për një president shqiptar siç kërkohet nga opozita shqiptare. Xhaferi shprehu keqardhje për sjelljen e partive opozitare shqiptare në seancën parlamentare ku u votua për kryeministrin e parë shqiptar në historinë e Maqedonisë së Veriut.
Pyetjes se cila është marrëdhënia me dy Kryeministrat e tjerë shqiptarë dhe a do të jetë vizita e tij e parë zyrtare në Shqipëri, kryeministri Xhaferi iu përgjigj se raportet institucionale me të dyja vendet janë të shkëlqyera dhe se vizitat zyrtare përcaktohen sipas Agjendave të qeverive përkatëse.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




