Lindita Nikolla zgjidhet kryetare e Kuvendit të Shqipërisë

Lindita Nikolla do të jetë kryetarja e re e Kuvendit të Shqipërisë. Emri i saj u propozua nga 15 deputetë të Partisë Socialiste. Zonkja Nikolla u zgjodh me 79 vota pro. 4 votat e LSI ishin kundër zgjedhjes së Nikollës si kryetare e Kuvendit. Deputetët e Partisë Demokratike grisën fletët e votimit në shenjë proteste për zgjedhjen e saj.
Opozita nuk ka qëndruar që të dëgjojë fjalën e parë të Lindita Nikollës, si kryetare Kuvendi. Të gjithë së bashku, teksa Nikolla ka marrë fjalën, kanë goditur me duar tavolinat në Kuvend, duke shkaktuar shumë zhurmë. Më pas e gjithë opozita ka braktisur Kuvendin.
“Të dashur qytetarë dhe qytetarë shqiptarë. Të nderuar deputetë dhe deputetë është nder të jem këtu para popullit shqiptar. Është nje nder që nuk thuhet dot me fjalë. Fjalët do t’i kursej me sa të mundem që t’ja lë kohë që do kemi së bashku.”- tha Nikolla.
Kush është kryetarja e re e Kuvendit?
Nikolla lindi në Tiranë, më 22 Tetor 1965. Ajo është e martuar me Ligor Nikolla dhe ka një vajzë që quhet Livia. Nikolla, në korrik 2010 ka kryer studimet Master në Administrim Publik, drejtimi Pushtet Ekzekutiv, pranë Albanian University dhe në vitin 1989 ka përfunduar studimet universitare pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, dega Matematikë, Universiteti i Tiranës. Ajo ka hyrë në politikë në vitin 2003. Gjatë viteve 2003–2006 është zgjedhur si Këshilltare e Këshillit të Njësisë Bashkiake Nr.1, Tiranë. Është zgjedhur për dy mandate në periudhën 2007-2011 dhe 2011-2013, Kryetare e Njësisë Bashkiake Nr.1 Tiranë. Në zgjedhjet e 23 Qershorit 2013, zgjidhet deputete e qarkut të Tiranës. Ajo ka qenë më parë në postin e ministres së Arsimit nga shtatori i vitit 2013 deri në tetor të vitit 2018.
Nga shtatori i vitit 2007, Nikolla është anëtare e Kryesisë së Partisë Socialiste. Në vitin 2006 ka përfunduar Akademinë për Udhëheqësi dhe Reformë pranë Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (NDI) në Tiranë dhe në qershor të vitit 2008 ka kryer Akademinë mbi Policimin Komunitar dhe Qeverisjen Vendore në Universitetin e Pitsburgut, SHBA. Nikolla ka kryer gjithashtu një sërë kualifikimesh në menaxhimin e shkollës dhe mësimdhënien e matematikës, si dhe për fuqizimin e gruas në vendimmarrje. Znj. Nikolla zotëron gjuhën angleze dhe njeh gjuhën frënge e atë italiane.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



