SHBA i futi në listën e zezë, Prokuroria në Shkup nis hetim ndaj Grubit e Bexhetit

Prokuroria e Shkupit ka njoftuar për nisjen e hetimeve kundër ish-zëvendëskryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, dhe gjykatësit të Gjykatës së Apelit, Enver Bexheti, në lidhje me dyshimet për përfshirje në korrupsion.
Kryeprokurori Lupço Kocevski njoftoi se synimi i hetimit është të vërtetojë nëse ka përgjegjësi penale për Grubin dhe Bexhetin, pasi Departamenti Amerikan i Shtetit i akuzoi ata se ishin “përfshirë në korrupsion të lartë dhe se kanë pranuar ryshfet për të penguar” proceset gjyqësore lidhur me dënimin e Sasho Mijalkovit, ish-drejtorit të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK).
“Në lidhje me listën e zezë, dua t’ju njoftoj se kam formuar lëndë për të siguruar prova për të vërtetuar përgjegjësinë penale të personave që përmenden për ryshfet dhe tregti me ndikim. Prokuroria do të japë urdhra të mëtejshëm. Dua të theksoj se bashkëpunimi me SHBA-në dhe me ambasadën amerikane është i shkëlqyeshëm si dhe na ndihmojnë në luftën kundër korrupsionit”, tha Kocevski për gazetarë të mërkurën.
Të martën, ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Ageler, tha se provat kundër tyre janë të disponueshme dhe institucionet maqedonase mund t’i gjejnë. “Çfarë do të ndodhë më tej, varet nga institucionet që zbatojnë ligjin dhe sistemi gjyqësor,” deklaroi Ageler në një konferencë për shtyp më 10 dhjetor. Gjatë këtij viti, përveç Grubit, nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) gjatë mandatit të kaluar 2020-2024, dhe gjykatësi Enver Bexheti, në listën e zezë amerikane janë përfshirë edhe ish-prokurorja e Gjykatës Speciale, Katica Janeva dhe kryetari i Karposhit, Stevço Jakimovski, ndërsa vitin e kaluar non grata u shpallën shumë politikanë e zyrtarë si nga radhët maqedonase ashtu edhe shqiptare.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




