Ligji i gjuhëve, të përdoret dhe gjuha që flitet nga 20% e qytetarëve në Maqedoninë e Veriut

Ligji për përdorimin e gjuhëve në Maqedoninë e Veriut hyri në procedurë parlamentare në shtator 2017. Presidenti i atëhershëm Gjorgje Ivanov refuzoi ta dekretonte, duke argumentuar se ligji ishte antikushtetues. Megjithatë, në fillim të vitit 2018, ligji u miratua dhe opozita, që asokohe drejtohej nga VMRO-DPMNE-ja, nuk mori pjesë në seancë dhe ashtu si presidenti, e cilësoi ligjin antikushtetues.
Ligji me 25 nene parashikon përdorimin e zgjeruar të gjuhës shqipe, dhe e përmend atë në mënyrë specifike në nenin 2. Ndryshimet kryesore që solli ligji i ri ishin përdorimi i gjuhës shqipe në procese gjyqësore, kartëmonedha dhe tek uniformat policore.
Pas miratimit, ligji u kundërshtua nga 13 ankesa të paraqitura nga qytetarë, parti politike dhe shoqata të ndryshme, mes tyre edhe partia më e madhe maqedonase VMRO. Kjo parti kundërshtonte gati çdo aspekt të ligjit nga mënyra e miratimit deri te përmbajtja e tij. Dhe ashtu siç kishte paralajmëruar, sapo u rikthye në pushtet u angazhua për korrigjimin e tij.
Tani kryeministri Hristijan Mickoski ka theksuar se nuk do të ndodhë asgjë, pasi sipas tij nuk po kontestohet i gjithë ligji, por vetëm 2-3 dispozita të tij, por partia shqiptare tashmë në opozitë Bashkimi Demokratik për Integrim pretendon të kundërtën, duke thënë se janë në rrezik 18 dispozita të tij dhe ka shprehur shqetësim se ligji mund të bëhet i pazbatueshëm.
Ligji parashikon përdorimin e gjuhëve të komuniteteve jo-shumicë dhe përcakton se një gjuhë tjetër që flitet dhe shkruhet nga të paktën 20% e qytetarëve të jetë njëlloj si gjuha zyrtare maqedonase. Në vitin 2019, në vlerësimin e tij Komisioni i Venecias kërkoi që Ligji për gjuhët të rishikohet dhe të shqyrtohet dygjuhësia në procedurat gjyqësore. Por çfarë mund të ndodhë në seancën e së mërkurës. Sipas ekspertëve të Kushtetutës, gjykata mund ta hedhë poshtë nismën dhe të vendosë të nisë një procedurë për ligjin ose vetëm për disa dispozita të tij, mund ta ndalë përkohësisht zbatimin e tij deri në marrjen e një vendimi përfundimtar apo edhe ta kthejë në Kuvend për përmirësim.
Gazetare Vjollca Zharri
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




